Komuna e Kamenicës obligohet t’ia paguajë mbi 1 mijë e 500 euro mësimdhënësit për shujta ditore e shpërblim jubilar
Raporton: Blerim JAKUPI
Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e mësimdhënësit të lëndës së kimisë në Sh.M.L.M “Sejdi Kryeziu”, në fshatin Rogaçicë të Kamenicës, A.S.
Kjo gjykatë e ka detyruar Komunën e Kamenicës, që paditësit S. t’ia paguajë shujtat ditore për vitet shkollore 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019 dhe 2019/2020, në shumë prej 1 mijë e 234 euro, si dhe shpërblimin jubilar për 20 vite përvojë pune prej 75% të një page bazë, në shumë prej 344 euro e 25 centë.
Shuma e përgjithshme që komuna në fjalë është obliguar t’ia paguajë paditësit është 1 mijë e 578 euro e 25 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të 26 prillit të këtij viti të marrë nga gjykatësi Artan Abazi, gjykata e ka detyruar të paditurën, që ajo paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës në shumë prej 259 euro, në afat prej shtatë ditësh nga marrja e aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit me dhunë. Ndërsa shuma prej 67 euro e 50 centë e kërkuar për një seancë gjyqësore të shtyer, është refuzuar si e pabazuar.
Mësimdhënësi A.S., më 4 shkurt 2020, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, me arsyetimin se ai është në marrëdhënie pune tek e paditura si mësimdhënës në Sh.M.L.M “Sejdi Kryeziu”, në fshatin Rogaçicë të Kamenicës.
Me kërkesëpadi, paditësi kishte kërkuar nga e paditura që atij t’ia paguajë shujtat ditore për vitet shkollore 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019 dhe 2019/2020, në shumë prej 1 mijë e 234 euro, si dhe shpërblimin jubilar për 20 vite përvojë pune prej 75% të një page bazë, në shumë prej 344 euro e 25 centë, e që shuma e përgjithshme kapë vlerën prej 1 mijë e 578 euro e 25 centë, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8% sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të padisë deri në pagesën definitive në afat prej shtatë ditësh nga dita kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, si dhe pagesën e shpenzimeve të procedurës kontenstimore. /BetimipërDrejtësi