Komuna e Gjakovës obligohet që ish-mësimdhënësen ta kthejë në vendin e punës

46493209_324600414802901_7370787010971172864_n
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 15, 2019

Gjakovë – Komuna e Gjakovës do të obligohet që ta kthejë në vendin e punës paditësen Shqipe Sada, si mësimdhënëse e Gjuhës Angleze në Shkollën Fillore “Pjetër Muqaj”, në fshatin Guskë të Gjakovës.

Paditësja Sada, kishte parashtruar padi më 1 tetor 2018, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku e kishte paditur Komunën e Gjakovës, përkatësisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë, me pretendimin se ishte larguar padrejtësisht nga puna.

Gjykata Themelore në Gjakovë e ka aprovuar në tërësi si të bazuar kërkesëpadinë e paditëses Sada, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të përpiluar nga gjykatësi Besnik Bislimaj, Komuna e Gjakovës obligohet që paditëses Sada t’ia kompensojë edhe të gjitha të ardhurat personale të parealizuara në emër të pagës në shumën prej 2,986.50 euro, si dhe në të ardhmen të paguhet paga bruto mujore në shumën prej 497.75 euro, derisa paditësja të kthehet në marrëdhënien e punës, si dhe në emër të kontributit të papaguar pensional shumën prej 149.32 euro, e në të ardhmen deri në kthimin në vendin e punës të paditëses në vlerë prej 5% të pagës mujore me kamatë prej 8% nga dita e parashtrimit të padisë e deri në pagesën definitive.

Në arsyetimin e aktgjykimit, ndër të tjera thuhet e paditura në rastin e marrjes së vendimit për shkëputje të marrëdhënies së punës nuk e ka zbatuar drejtë Udhëzimin Administrativ Nr.02/2017, i cili barazon të gjithë të diplomuarit në institucione publike me të diplomuarit në institucione private të (ri) licencuar dhe  (ri) akredituar, e që në rastin konkret Kolegji AAB, me seli në Prishtinë, i cili e ka lëshuar diplomën universitare për paditësen është i licencuar dhe i akredituar për programet për të cilat paditësja ka diplomuar në studimet bachelor dhe master të Gjuhës Angleze.

Sipas padisë, paditësja Shqipe Sada ishte e punësuar si mësimdhënëse e Gjuhës Angleze, në Shkollën Fillore “Pjetër Muqaj”, në fshatin Guskë të Komunës së Gjakovës, duke filluar në vitin 2014 e deri më 31 gusht 2018.

Në bazë të padisë, më 28 gusht 2018, pala e paditur, Komuna e Gjakovës, Drejtoria Komunale e Arsimit ia ka shkëputur marrëdhënien e punës paditëses me arsyetimin se: “pasi kualifikimi i saj është në kundërshtim me nenin 16 parag.5 të Ligjit për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, si dhe në kundërshtim me nenin 1 të udhëzimit administrativ të MASH-tit për vlefshmërinë e programeve studimore të bartësve privat të arsimit të lartë”, dhe për të njëjtën pozitë përzgjidhet Engjelina Muqaj, që sipas padisë, nuk i plotëson kriteret e kërkuara me ligj dhe udhëzim administrativ.

Sipas padisë, paditësja më 5 shtator 2018 ka parashtruar ankesë kundër vendimit në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Komunën e Gjakovës, Drejtorinë e Arsimit në Gjakovë, Zyrës Regjionale të Inspektoratit të Arsimit, njëherësh duke e njoftuar me parashtresë të veçantë punëdhënësin, kryetarin e Gjakovës, drejtorin e DKA-së në Gjakovë, inspektorin e arsimit, Gjergj Gojani, USIAD Gjakovë, e përkundër respektimit të procedurave të brendshme, siç thuhet në padi, Komuna e Gjakovës injoron dhe nuk shqyrton ankesën e paditëses.

Andaj, me anë të padisë, ajo po kërkon nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim me anë të së cilit do të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e parashtruar nga paditësja Shqipe Sada, si dhe të obligohet e paditura, Komuna e Gjakovës, Drejtoria e Arsimit që paditësen ta kthejë në punë, si mësimdhënëse e Gjuhës Angleze në Sh.F “Pjetër Muqaj” në Guskë, të Komunës së Gjakovës, duke ia kompensuar të ardhurat personale me kamatë ligjore, sa i përket kompensimit të të ardhurave personale të parealizuara në shumën prej 2986.50 euro për periudhën kohore prej 1.9.2018 e deri më 28.2.2019, dhe pas kësaj date të paguhet paga mujore në shumën prej 497.75 euro, derisa paditësja të kthehet në vendin e punës, si dhe në emër të kontributit pensional të papaguar nga e paditura në vlerë prej 5% për periudhën kohore 1.9.2018 e deri më 28.2.2019 shumën 149.32 euro dhe në të ardhmen deri në kthimin në vendin e punës së paditëses në vlerë prej 5% të pagës mujore. /Betimipërdrejtësi