Kompania “R & Rukolli” padit OSHP për pamundësim të fitimit të tenderit, kërkon kompensim nga MKK

jj
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Dhjetor 22, 2020

Prishtinë – Të martën në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore, në rastin ku kompania “R & Rukolli” po kërkon anulimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Paditësi pretendon se OSHP me vendimin e datës 7 nëntor 2017 i kishte eliminuar paditësen duke i pamundësuar kështu fitimin e tenderit “Ndërtimi dhe rinovimi i shtëpisë për të kthyerit” të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance përfaqësuesi i paditëses, Taulant Ferizi bëri zgjerimin e padisë në aspektin subjektiv, ashtu që për dëmin e shkaktuar po kërkon nga  Ministria për Komunitete dhe Kthim, kompensimin e fitimit të humbur.

Ferizi deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë së ushtruar në gjykatë.

“Paditësi konsideron se vendimi  i OSHP me anë të së cilit është refuzuar ankesa në tenderin “Ndërtimi dhe rinovimi i shtëpisë për te kthyerit” i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është nxjerr ne mënyrë te kundërligjshme, OSHP ka interpretuar në mënyrë te gabuar dispozitat ligjore, duke pretenduar se garancioni i ofruar nga paditësi nuk e përmbush kriterin formal te kërkuar ne dosjen e tenderit dhe i njëjti operator ekonomik është diskualifikuar”, tha Ferizi.

Tutje Ferizi bëri edhe  precizimin e padisë, me ç ‘rast ai po kërkon nga Ministria për Komunitete dhe Kthim edhe kompensimi për fitimin e humbur me rastin e diskualifikimit.

Përfaqësuesja e të paditurës, Vera Parduzi deklaroi se mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe vendimit të OSHP.

Parduzi tha se raporti i ekspertizës si dhe përfundimet qe ka nxjerr paneli i OSHP janë legjitime pasi që gjatë nxjerrjes së këtij vendimi ka pasur parasysh edhe legjislacionin në fuqi. “Eleminimi i operatorit ekonomik është në përputhje me ligjin për prokurimin publik”, tha ajo.

Gjykatësi Hajriz Hoti më pas mori aktvendim mbi lejimin e zgjerimit të padisë dhe precizimit të saj.

Ai obligoi të paditurën OSHP që të sjell dosjen e tenderit të kompanisë fituese dhe të paditurën e dytë, MKK që në afat prej 30 ditësh të dorëzoj në gjykatë përgjigjen në padi.

Seanca u ndërpre për të vazhduar më datë 26 janar 2020, nga ka 9:30.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 6 dhjetor 2017,  kompania R & Rukolli sh.p.k., ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të anuloj vendimin e OSHP-së.

Vendim me të cilin e paditura, kishte hedhur poshtë ankesën e operatorati R & Rukolli”, lidhur me shpalljen si fitues të kompanisë “Al Trade”, për aktivitenin ekonomik  “Ndërtimi dhe renovimi i shtëpisë për të kthyerit” nga operatori ekonomik MKK.

Sipas paditësit, vendimi i panelit shqyrtues është i kundërligjshëm për faktin se ka përzgjedhur si fitues operatorin ekonomik që ka ofertuar me çmimin më të lartë. /BetimipërDrejtësi