Kompania pretendon se Dogana gabimisht e kishte vlerësuar mallin, kërkon kthimin e rreth dy mijë eurove

Rasti i Monimix 15.04.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Prill 15, 2019

Prishtinë – Të hënën në Departamentin Administrativ, është shqyrtuar padia ndaj Doganës së Kosovës, nga kompania “Monimix”, e cila pretendon se malli i importuar i ishte vlerësuar gabimisht sipas metodës 6 të Kodit Doganor dhe të Akcizave.

Sipas padisë, ky subjekt kishte importuar rrjeta qelqi për izolime, sipas faturës me vlerë deri në 10,378.00 euro, kurse për këtë vlerë në doganë kishte paguar 16,857.70 euro ngarkesë shtesë si obligim doganor.

Në seancë nuk mori pjesë ndonjë përfaqësues i Doganës, kurse paditësi me përfaqësuesin e tij, Arbnor Kurtaj, deklaroi që vlerësimi i mallit nga e paditura ishte bërë gabimisht.

Sipas Kurtaj, Dogana e Kosovës në mënyrë të vazhdueshme konteston vlerën e mallit duke e rritur vlerën pavarësisht paraqitjes së dokumentacionit nga ana e kompanisë “Monimix”.

Kurtaj, tha se kishin paraqitur të gjitha dokumentet te e paditura, mirëpo e njëjta nuk ishte marrë parasysh me rastin e procesit të zhdoganimit.

Pas administrimit të provave, paditësi tha se kërkon anulimin e vendimit të doganës me të cilin ai ishte ngarkuar me pagesë shtesë, duke kërkuar kthimin e 1,722.35 eurove në emër të kësaj pagese.

Kurse, gjykatësi Rexhep Gashi, pas fjalës përfundimtare njoftoi palën se vendimin do ta marrin muajin tjetër.

“Monimix” sh.p.k kishte paraqitur padi më 7 mars 2016, ndaj vendimit të Doganës së Kosovës, me të cilin për mallin e importuar ishte ngarkuar me vlerë shtesë.

Sipas padisë, ky subjekt kishte importuar rrjeta qelqi për izolime, sipas faturës, me vlerë deri në 10,378.00 euro, kurse për këtë vlerë në doganë kishte paguar 16,857.70 euro ngarkesë shtesë si obligim doganor.

Mirëpo, paditësi konsideron që kjo shumë ishte shumë e lartë dhe metoda e vlerësimit gjashtë nuk kishte qenë metoda që duhej përdorur në vlerësim të këtij malli.

Andaj, me anë të padisë ka kërkuar anulimin e vendimit të doganës të datës 1 shkurt 2016, me të cilin atij i ishte refuzuar ankesa ndaj këtij vlerësimi të mallit. /Betimipërdrejtësi