Kompania “Kosova Marketing” kërkon nga BIK-u mbi 87 mijë euro, pretendon se ia ka borxh

Gjykata19
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Maj 15, 2019

Prishtinë – Kompania “Kosova Marketing”, po pretendon se Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), nuk ia ka paguar asaj borxhin prej mbi 87 mijë euro.

Ky borxh, sipas padisë, ka rrjedhur si pasojë e mos përmbushjes së kontratës që palët kishin lidhur mes vete për shfrytëzimin e tri lokaleve afariste, që janë në pronësi të BIK-ut, e të cilat gjenden në oborrin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në padi, thuhet se kompania dhe BIK-u kishin lidhur marrëveshje që paditësit t’i lëshohen tri lokalet me qira, në shumë mujore prej 2500 euro, dhe që të investohet në rregullimin e atyre lokale.

Në padi thuhet se kontrata mes palëve parashihte që gjysma e shumës prej 2500 euro, BIK-u ta llogariste si pjesë të investimeve në këto lokale.

Pala paditëse, pretendon se investimet në këto lokale kanë arritur në shumë prej 87.500 euro, por që sipas padisë, BIK-u më pas e ka larguar kompaninë nga qiradhënia, duke mos e kthyer borxhin për shumën e investimeve.

Lidhur me këtë rast, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca përgatitore.

Përfaqësuesi i paditësve, avokati Bejtush Isufi, ka deklaruar se pajtohet me ekspertizën e ndërtimtarisë së ekspertit Selman Buqolli, me arsyetimin se e njëjta ka ndriçuar në tërësi çështjen e lartësisë dhe llojit të investimit të bërë nga paditësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Shemsi Uka, ka deklaruar se kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë paditësit, me arsyetimin se asnjë provë, e as ekspertiza e ndërtimtarisë nuk ka mundur ta vërtetojë bazën e kërkesëpadisë.

Ai i ka propozuar gjykatës që për seancën e radhës si dëshmitar të dëgjohen Ibrahim Fazliu dhe Idriz Gjigolli, në rrethanën se si është bërë kontrata e qirasë ndërmjet palëve ndërgjygjëse.

Propozimi i përfaqësuesit të palës së paditur, është kundërshtuar nga përfaqësuesi i paditëses, ndërsa është aprovuar nga gjykatësi i rastit Lekë Prenaj.

Seanca e radhës në këtë raste pritet të mbahet më 14 qershor 2019, duke filluar nga ora 9:00, ku pritet që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen Ibrahim Fazliu dhe Idreiz Gjigolli.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 13 nëntor 2008, pretendohet se paditësi me të paditurën kishin lidhur marrëveshje që paditësi të marrë në shfrytëzim lokalet afariste dhe për këtë të paguajë qiranë në shumë prej 2500 euro, për çdo muaj.

Sipas padisë, paditësi kishte pasur për obligim që gjysmën e shumës prej 2500 euro ta paguajë çdo muaj, ndërsa pjesën tjetër të qeras ta zbatojë në investime në lokalet që gjenden në oborrin e Xhamisë së Madhe.

Gjithmonë bazuar në padi, investimet që i ka bërë paditësi deri në muajin mars të vitit 2008, arrijnë shumën prej 87,500.00 euro.

Bazuar në padi, sipas kontratës së qeras të 27 korrikut 2005, i padituri që nga 1 gushti i vitit 2008, kishte qenë i detyruar të përmbush borxhin në këste nga 700 euro, por e njëjta nuk e ka përmbushur asnjë këst.

Prandaj, me anën e kësaj padie, pala paditëse po kërkon nga gjykata, që padia dhe kërkesa e saj të aprovohen si të bazuara dhe të detyrohet e paditura që t’ia kthejë borxhin në shumë prej 87,500.00 euro, të cilën shumë paditësi e kishte investuar sipas kontratës për dhënien me qira të lokaleve afariste. /Betimipërdrejtësi