Kompania kërkon që të anulohet vendimi i Inspektoratit të Punës për gjobën prej një mijë euro

Rasti i Norwegian PX 12.06.2019
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Qershor 12, 2019

Prishtinë – Kompania “Norëegian PX Kosovë”, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, anulimin e vendimit të Inspektoratit të Punës, me të cilin ishte gjobitur në vlerë prej 1000 euro, për mos pagesën me rregull të disa punëtoreve.

Në seancën e së mërkurës, në Departamentin Administrativ, përfaqësuesi i kësaj kompanie, Visar Kastrati, tha se vendimi i Inspektoratit të Punës që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ishte i padrejtë.

“Qëndrojmë pranë padisë dhe kërkesë padisë duke konsideruar se vendimi i marrë nga Inspektorati i Punës është i paligjshëm për arsye inspeksioni nuk ka respektuar dispozitat e udhëzimit administrativ 07/2012, neni 6 që përcakton se gjoba shqiptohet kur ka shkelje nga subjekti juridik”, tha Kastrati.

Ai tha se arsye e shqiptimit të gjobës kishte qenë se në disa kontrata të punës nuk ishte rregulluar si duhet pagesa me arsyetimin se paditësi i ka ndal akontacion të punësuarve.

Sipas Kastratit, pretendimi i Inspektoratit të Punës nuk qëndron sepse paditësi në kontratë ka rregulluar pagën bazë, siç parashihet me ligj dhe ka paguar edhe kontributet dhe tatimet ashtu siç kërkohet.

Në këtë seancë e pranishme nuk ishte pala e paditur, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ndërsa gjykatësi Hajriz Hoti përmes vendimit obligoi që kjo ministri në seancën e radhës të sjell procesverbalet e inspektimit në subjektin “Norëegian PX Kosovë”.

Seanca e radhës për rastin është caktuar më 16 korrik 2019 në orën 10:30.

Subjekti “Norëegian PX Kosovë”, kishte paraqitur padi në shtator të vitit 2017, ndaj Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Inspektoratit të Punës, lidhur me një vendim të marrë me te cilin kjo kompani ishte gjobitur në vlerë prej 1000 euro.

Sipas vendimit të datës 2 maj 2017, gjatë inspektimit të bërë në këtë subjekt punëdhënësi nuk kishte prezantuar dokumentacion të kërkuar, ku ky inspeksion i kishte dhënë mundësinë që brenda një afati kohor të mënjanonte parregullsitë, mirëpo sipas vendimit “Norëegian PX Kosovë”, nuk i kishte mënjanuar plotësisht këto parregullsi.

Gjithnjë sipas padisë, ndaj vendimit të Inspektoratit të Punës, kjo kompani kishte paraqitur ankesë në MPMS, mirëpo edhe ankesa ndaj gjobës ishte refuzuar si e pabazë, duke bërë kështu që paditësi të drejtohej në gjykatë.

Gjoba sipas vendimit thuhet se ishte shqiptuar për shkak se punëdhënësi “Norëegian PX Kosovë”, nuk kishte paguar punonjësit për punën e  kryer dhe kohën e  kaluar në punë.

Sipas vendimit, paditësi në mënyrë të kundërligjshme kishte bërë ndalesa në pagë për punëtorë në emër të akontacionit deri në shumën prej 60 euro, ku një punëtores nga 345 euro pagë, minus kontributet dhe taksat i kishte ndalur shumen e  lartpërmendur duke i dhënë të njëjtës pagën në vlerë prej 254 euro, por që përmes padisë, kjo kompani ka kundërshtuar këtë vendim,  duke e cilësuar si të kundërligjshëm dhe duke kërkuar nga gjykata anulimin e tij.  /BetimipërDrejtësi