Kompania kërkon anulimin e vendimit të OSHP-së për dhënien e tenderit, kërkon kompensim mbi 75 mijë euro

Gjykata
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 11, 2019

Prishtinë – Kompania “Uni–Project”, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me të cilin i ishte refuzuar ankesa ndaj vendimit për dhënien e tenderit operatorit ekonomik “MSS”.

Me pretendimin se operatori ekonomik “MSS”. i cili ishte shpallur fitues i tenderit për projektin “Mirëmbajtja e ndërtesave Qeveritare”, është dashur të shpallet i papërgjegjshëm, përfaqësuesi i paditëses, Besnik Vrealla, i propozoi gjykatës anulimin e vendimit të OSHP-së, kthimin e çështjes në rivlerësim dhe kompensimin e dëmit prej mbi 75 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai tha se operatori ekonomik i kontraktuar është dashur të shpallet i papërgjegjshëm, me pretendimin se nuk mund të ruhet buxheti, duke u shkelur vendimi i Qeverisë për paga minimale pasi që sipas tij, punonjësit janë kategori kushtetuese dhe të drejtat e tyre mbrohen me Kushtetutë dhe me Ligjin e Punës.

Ai po ashtu dha sqarime sa i përket punonjësve primarë dhe sekondarë, ku tha se operatori ekonomik, fitues i tenderit kishte pasur pesë inxhinierë, e që kërkesa e tenderit ka qenë që të ofrohet staf inxhinierik me orar të plotë të punës.

Sipas tij, po që se OSHP-ja, do t’i kishte marrë për bazë pretendimet e tyre ankimore, kompania “MSS”, do të ishte shpallur e papërgjegjshme.

Ndërsa, si të pabazuar, padinë e paditësit, e konsideroi përfaqësuesi i të paditurës, Visar Bibaj, i cili gjatë kësaj seance tha se vlerësimi i ofertave është bërë sipas Ligjit për Prokurimin Publik.

E pas administrimit të provave, palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare, në të cilën përfaqësuesi i paditëses, tha se mbetet në tërësi pranë padisë dhe deklarimeve të mëparshme, duke shtuar se kërkon kompensimin e dëmit të shkaktuar, ashtu që për procedurat e zhvilluara kundër aktit administrativ, kërkojnë shumën prej 500 euro, për përpilimin e padisë dhe shpenzimet e tjera 750 euro, si dhe për fitimin e humbur si pasojë e mos shpërblimit të kontratës në vlerë prej 74 mijë e 310 euro.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 2 gusht 2017, paditësja NPN “Uni – Project”, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, anulimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), dhe obligimin e tij që paditëses t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar për përgatitjen e ofertës, ankesës, padisë në Gjykatë dhe fitimin e humbur.

Sipas padisë, procesi rivlerësimit të ofertave nga autoriteti kontraktues, kishte qenë subjektiv, dhe se operatori ekonomik “MSS”, pa i plotësuar kushtet ishte shpallur fitues i tenderit, duke ia pamundësuar kështu paditëses fitimin e kontratës.

Në padi thuhet se paditësja, tre herë i ishte drejtuar autoritetit kontraktues për rivlerësim, e më pas me ankesë e cila i ishte aprovuar nga OSHP-ja, e cila kishte anuluar vendimet e autoritetit kontraktues, për shkak të çmimit shumë të ulët, dhe me punonjës të cilët kanë kontrata të punës, me dy kompani njëherësh.

Sipas padisë, autoriteti kontraktues, edhe pas rivlerësimit, e shpall fitues operatorin ekonomik “MSS”, ndonëse kjo në kundërshtim me Ligjin e Punës.

Pala paditëse pretendon se OSHP-ja nuk kishte bërë vlerësuar drejtë, objektive dhe ligjore një vendim të tillë.

E sipas vendimit të OSHP-së, të datës 29 qershor 2017, ishte vërtetuar vendimi për dhënien e kontratës autoritetit kontraktues “MSS”, për Mirëmbajtja e ndërtesave Qeveritare”.