Kompania “ELSIG” kërkon anulimin e vendimit të OSHP-së, thotë se është i kundërligjshëm

Gjykata1
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 8, 2020

Prishtinë – Me pretendimin se Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), në mënyrë të kundërligjshme kompanisë së sigurimeve “ELSIG”, i kishte pamundësuar realizimin e projektit të sigurimit të automjeteve të KUR “Hidrodrini” dhe kontratën ia kishte dhënë kompanisë “Sigma”, e cila sipas palës paditëse, kishte ofruar çmim më të lartë.

Përfaqësuesja e kësaj kompanie, Eleonora Ndrecaj, në seancën e mbajtur të mërkurën, lidhur me këtë rast, tha se mbetet pranë deklarimeve të mëparshme, me propozimin që vendimi i të paditurës, të anulohet si i kundërligjshëm.

Ndërkohë, në seancën e mbajtur më 12 dhjetor 2019, ajo kishte thënë se paditësja kishte ofruar çmimin më të ulët, dhe këtë e kishte bazuar në përputhje me rregullativën e Bankës Qendrore të Kosovës.

Ajo kishte deklaruar se në mënyrë të padrejtë është bërë anulimi i njoftimit të autoritetit kontraktues KUR “Hidrodrini” mbi dhënien e tenderit kompanisë së sigurimeve “ELSIG”.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i OSHP-së, Klit Shala tha mbetet në tërësi pranë përgjigjes në padi.

Ai ka shtuar se vendimi i nxjerr nga paneli shqyrtues është i ligjshëm, sepse autoriteti kontraktues, sipas tij, kishe dështuar të bëj respektimin e nenit 7 dhe 59 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Shala tha se sa i përket çmimit, tarifa e aprovuar e paditësit nga BQK- konfirmon që paditësi do të duhej të tarifonte me çmim tjetër nga ajo se çfarë kishte ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit.

Pas administrimit të provave, palët dhanë fjalën e tyre përfundimtare, ku përfaqësuesja e paditëses, Ndrecaj tha se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhëna dhe padisë së paraqitur, duke i propozuar gjykatës që e njëjta të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Ai i propozoi gjykatës që vendimin e të paditurës ta anulojë si të kundërligjshëm, pasi që sipas saj, përmes provave të administruara është vërtetuar se vendimi i OSHP-së është marr në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq, përfaqësuesi i të paditurës, kërkoi nga gjykata që të refuzojë padinë si të pathemeltë dhe ta lë në fuqi vendimin e OSHP-së, me arsyetimin se provat kryesore të përmendura nga pala paditëse, në të cilat mbështetet padia, janë të keqinterpretuara.

Ndryshe, seanca përgatitore lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 12 dhjetor 2019, në të cilën e paditura ishte obliguar që gjykatës t’i dorëzojë dosjen e tenderit.

Sipas padisë së ushtruar më 5 shkurt 2015, kompania e sigurimeve “ELSIG” kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, që ta anulojë vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, me të cilin kjo e fundit kishte anuluar njoftimin mbi dhënien e kontratës.

Në padi thuhet se këtë e kishte bërë me pretendimin se tani paditësja kishte shkelur tarifat e aprovuara nga Banka Qendrore e Kosovës.

Por, që sipas padisë, paditësja pretendon se tarifat e ofruara ishin konform rregulloreve të miratuara nga BQK, duke theksuar se kishte ofruar çmimin më të ulët, ku pas anulimit të tenderit me të njëjtin çmim, tenderi i ishte dhënë kompanisë së sigurimeve “Sigma”. /BetimipërDrejtësi