Kompania e sigurimeve pajtohet t’ia paguajë mbi 6 mijë e 400 euro paditësit për kompensim dëmi pas aksidentit

suhareka
Author
Qershor 10, 2021

Lipjan – Kompania e Sigurimeve “Scardian” është pajtuar t’ia paguajë 6 mijë e 493 euro Falmur Hysenit në emër të kompensimit të dëmit pas aksidentit që kishte ndodhur në tetor të vitit 2018 në udhëkryqin e Lipjanit që ndodhet në magjistralen Prishtinë-Prizren.

Marrëveshja gjyqësore është arritur në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, pasi i autorizuari i paditësit avokati Vehbi Ismajli dhe i autorizuari i të paditurit avokati Mahid Berisha shprehen vullnet për një marrëveshje të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Isa Gashi me vendim e ka miratuar marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve ndërgjyqëse.

Gjykatësi Gashi, e ka obliguar të paditurën që paditësit në emër të dëmshpërblimit të shkaktuar në aksidentin e komunikacionit për të gjitha format e dëmit material dhe jo material të ia pagua 5 mijë e 500 euro që është llogaritur 80%t ë lëshimeve të ngasësit të automjetit të siguruar nga autopërgjegjësia.

Po ashtu, kompania është obliguar t’ia paguajë edhe shumën prej 993.60 euro, në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore ku përfshihet përpilimi i padisë, përfaqësimet në seanca gjyqësore, taksa për padi si dhe shpenzimet e ekspertëve gjyqësorë. Këtë shumë është obliguar ta paguajë në afat prej 15 ditësh nga dita e arritjes së këtij pajtimi gjyqësor.

Fillimisht në seancë përfaqësuesi i paditësit avokati Vehbi Ismajli, ka thënë së mbetët në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, pranë thënieve në seancat e kaluara si dhe pranë parashtresës me të cilën e kanë precizuar lartësinë e kërkesëpadisë, të cilën e dorëzoi gjatë  seancës.

Ndërsa përfaqësuesi i të paditurit avokati Mahid Berisha, tha se mbetët në tërësi si në theksimet nga seancat e kaluara.

Berisha tha se sa i përket bazës së kërkesëpadisë e njëjta është sqaruar sipas ekspertizës së komunikacionit e për të cilën kemi ndarje të përgjegjësisë dhe bazuar në atë ekspertizë si dhe ekspertizat mjekësore e paditura ka përgatitur ofertën për paditësin dhe atë duke u bazuar në ndarje të përgjegjësisë 70 me 30%, pasiqë siç ka thënë ai, vozitësi i veturës B, ka dhënë kontribut në shkaktimin e këtij aksidenti.

Pas kësaj, Berisha shprehu gatishmëri që lëndën ta mbyllin më pajtim gjyqësor, ndërsa tha se nëse një gjë e tillë arrihet oferta për të gjitha kategoritë e dëmit është në lartësi prej 6.455,00 euro, duke e zbritur shumen prej 30% të kësaj lartësie, në të kundërtën i propozojmë gjykatës që të vazhdojë me administrimin e provave.

Në anën tjetër përfaqësuesi i paditësit Ismajli, deklaroi se oferta si e tillë nuk i plotëson kriteret që të arrijë marrëveshje duke u bazuar në ndarje të përgjegjësisë.

I njëjti ka thënë se janë të gatshëm për të arritur marrëveshje gjyqësore, në qoftë se kjo ndarje do të jetë 80 me 20%, ndërsa sa i përket ofertës së ofruar në shumën prej 6.455,00 euro, ka thënë se kjo shumën është e vogël, të njëjtës kërkojnë  t’i shtohen edhe 1.000,00 euro.

Ndryshe, nga padia e ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 dhjetor 2018, thuhet se  më 6 tetor 2018, rreth orës 22:15 minuta, është shkaktuar aksident komunikacioni nga ana e të pandehurit- akuzuarit Mërgim Hysenaj,dhe si pasojë e këtij aksidenti lëndime trupore ka pësuar pasagjeri i njësisë “A”, Flamur Hyseni i cili është dërguar në qendrën emergjente të QKUK-së.

Sipas padisë, i akuzuari Mërgim Hysenaj ishte duke e drejtuar automjetin për pasagjer “Opel Corsa”, kur ishte ndeshur me njësinë “B”, automjet ky i siguruar tek kompania e sigurimeve “Scardian”

Në padi thuhet se si pasojë e shkaktimit të këtij aksidenti, paditësi ka pësuar lëndime të rënda trupore për të cilat ka dëshmi provat mjekësore dhe atë dhimbje fizike, zvogëlim të aktivitetit jetësor, fitimin e humbur, përjetimin e frikës etj.

Mbi bazën e këtyre paditësi kishte kërkuar kompensimin e dëmit material dhe jo material dhe atë konformë dispozitave të LMD-së, duke u bazuar në kriteret dhe masat për përcaktimin e lartësisë së dëmeve./BetimipërDrejtësi