Komandanti policor thotë se gjatë kontrollit në QKUK nuk i kishin gjetur në dhomat e tyre Sami Lushtakun dhe dy të tjerët

samiu
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 9, 2019

Prishtinë – Ushtruesi i detyrës së komandantit të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, dëshmitari Binak Berisha, ka thënë se gjatë kontrollimit në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK,) nuk i kishin gjetur në dhomat e tyre Sami Lushtakun, Sahit Jasharin dhe Ismet Haxhën.

Këtë deklaratë, Berisha e ka dhënë në gjykimin ndaj Sami Lushtakut dhe të tjerëve, të cilët po akuzohen për arratisjen e ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt nga QKUK-ja.

Në këtë rast, përveç Sami Lushtakut, akuzohen edhe djali i tij, Mërgim Lushtaku, si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Mervete Hasani-Lushtaku, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Dëshmitari Berisha, ka thënë se kishin marrë informacion se në QKUK kishte pasur protestë, dhe se do të pengohej Ministri i Shëndetësisë për përurimin e një objekti.

Sipas tij, ai kishte kërkuar prej shefit të ndërrimit, togerit Arsim Shala, që të shkojë në QKUK me disa policë, për të verifikuar se çfarë kishte ndodhur.

“Kur ka shkuar atje Arsim Shala më ka treguar se janë disa simpatizantë qytetarë që janë mbledhur me qellim që ata kanë dëgjuar që Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, do të transferohen nga QKUK për në burgimin e Mitrovicës”, ka thënë ai.

Ai tha se menjëherë e kishte kontaktuar eprorin  e tij, dhe pas një kohë të shkurtër kishte marrë udhëzime që të verifikohen se a ishin të paraburgosurit në QKUK.

“Togeri Shala më ka thënë se ka biseduar me gardianin dhe se ai i kishte thënë se të dyshuarit kishin qenë në dhoma, unë kam kërkuar me qëndru ai aty se kur ka masë të njerëzve është përgjegjësi e imja që të kujdesem për sigurinë e qytetarëve”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, pasi e kishte informuar eprorin e tij për informacionet që ia kishte dhënë togeri Shala, ai i kishte kërkuar atij që të dalë në vendin e ngjarjes që të verifikojë.

Ai tha se bashkë me katër policë, prej të cilëve tha se i kujtoheshin Fatmir Abiti dhe Muhamet Cakiqi, kishin shkuar atje, ku në oborrin e QKUK-së tha se kishin parë turma të njerëzve, dhe kur kishin hyrë brenda tha se e kishin parë një gardian tek një dhomë dhe se kur e kishin pyetur se a kushte qenë aty Sami Lushtaku, ai i kishte thënë se ai ishte aty, por se nuk mund të hynin.

“Ne i kemi treguar se kemi informatë dhe duhet me hi me verifiku, gardiani tha nuk ka mundësi me hi, dhe e pengoi derën, policët e kanë larguar, unë kam hyrë në dhomë, më sa më kujtohet ka hyrë edhe Muhamet Cakiqi, aty i kemi takuar dy femra, njëra më tha se Samiu ka shkuar në kontroll te mjeku, pastaj e kemi shikuar dhomën vizualisht dhe në dhomë nuk ka qenë, por kontroll në dhomë nuk kemi bërë”, ka deklaruar Berisha.

Ai tha se kishin shkuar edhe në dhomën ku kishte qenë i shtrirë Sahit Jashari, për të cilin tha se nuk kishte qenë aty dhe se as te dera e dhomës së tij nuk kishte qenë askush.

“Ne kemi kërkuar prej mjekut të hapet dera, ka qenë televizori lëshut dhe një reshov ka qenë ndezur, kemi dalë jashtë, kam raportuar se nuk ndodhet në dhomë”, tha ai.

Sipas tij, kishin vazhduar edhe në Klinikë Infektive, ku kishte qenë i shtrirë i akuzuari Ismet Haxha, ku afër derës së dhomës tha se e kishin takuar një gardian, i cili u kishte thënë se i akuzuari nuk ishte aty dhe se nuk e dinte se ku gjendej.

Pas kësaj, ai tha se ishte udhëzuar që të formojë një dhomë komanduese, pasi sipas tij, ai nuk kishte pasur kompetencë që të hetojë, por vetëm të angazhohet në mbajtjen e situatës nën kontroll.

“Për një kohë të shkurtër ka ardhur prokurori Jonathan Ratel dhe dhoma komanduese ka qenë në repartin koronar, kur ja nisen me ardh prokuror dhe zyrtarë kam tërhequr dhomën komanduese nga koronarja në emergjencë”, tha dëshmitari.

Ai tha se më vonë përmes zinxhirit komandues kishte ardhur vendimi që duhej t’i dorëzojë të akuzuarve që të shkojnë në Dubravë, dhe se ai dhe eprori i tij, e kishin autorizuar Safet Jasharin, i cili kishte qenë përgjegjës për ekipin policor për shoqërim.

Në pyetjen e të akuzuarit Sami Lushtaku, se ku i kishte marrë Jashari të tre, në mal, në qytet, në spital apo në rrugë, dëshmitari ka thënë se të tre të paraburgosurit kishin qenë në dhomën e Lushtakut.

Dëshminë e tij në seancën e së mërkurës e ka dhënë edhe dëshmitari Albert Plakiqi, i cili ka thënë se kur kishin marrë thirrje për një protestë, kishin shkuar në QKUK.

Ai tha se kishin pasur informacione se kishte qenë protestë e Lëvizjes “Vetëvendosje”, ndërsa patrullën tha se e kishte udhëhequr Arsim Shala, me të cilin tha se kishin shkuar në repartin e emergjencës në QKUK, ku më vonë tha se u ishte bashkangjitur edhe Arsim Krasniqi.

“Unë kam qenë polic patrullues, kur ka ardhur shefi i ndërrimit më ka marrë me vete dhe kemi hyrë brenda, nuk më kujtohej se çfarë kemi kërkuar aty, por e di që jemi drejtuar tek një dhomë në katin e parë tek hyrja e emergjencës, unë kam qenë në shoqërim të udhëheqësit tem dhe ka kërkuar me shku me të, bashkë me Arsim Shalen kemi shkuar te një dhomë, ai e ka marrë një informatë se nga dhoma e Sami Lashtakut është arratisur”, tha dëshmitari.

Ai tha se kur kishin shkuar tek dhoma e Lushtakut kishte qenë para derës gardiani, pastaj togeri Shala tha se kishte biseduar me të dhe e kishte pyetur se a kishte qenë gjithçka në rregull, dhe pasi ai i kishte thënë se gjithçka ishte në rregull, tha se ishin larguar nga aty.

Sipas tij, ai me një polic tjetër kishin qëndruar në një korridor, ndërsa udhëheqësi kishte vazhduar.

Më vonë, tha se prapë togeri Shala e kishte marrë atë dhe zyrtarin tjetër policor Abedin Krasniqin dhe tha se kur kishin shkuar tek dhoma e njëjtë kishin kontaktuar prapë me gardianin, i cili tha se e kishte pyetur se a ishte brenda Sami Lushtaku.

“Togeri i ka thanë gardianit se duhet me hi në dhomë po gardiani i ka thënë se sbon me hi, kur ka tentu udhëheqësi Shala me hy brenda gardiani ka dalë para dere dhe tentoi me na pengu për me hy brenda, e kemi larguar gardianin nga dera, unë dhe Abedini e kemi larguar nga dera ndërsa udhëheqësi ka hyrë brenda ndërsa unë kam hyrë deri re pragu i derës, në dhomë sa më kujtohet kanë qenë 2 gra”, tha dëshmitari.

Sipas tij, pas kësaj ishin larguar nga aty menjëherë, udhëheqësi Shala kishte vazhduar, ndërsa ai dhe një polic tjetër kishin qëndruar në korridor për të përcjellë gjendjen.

“Atë ditë nuk e kemi takuar Sami Lushtakun, unë kam qenë vetëm në shoqërim të udhëheqësit”, ka thënë dëshmitari.

Ndërsa, dëshmitari Fatmir Abiti, ka thënë se me 20 maj 2014, së bashku me rreshter Muhamet Cakiqi dhe rreshteren Vjosa Zeqiri, e kishin shoqëruar komandanti Benak Berisha për në QKUK, për të verifikuar një informatë lidhur me arratisjen e Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari.

Ai tha se në klinikë më herët kishin qenë edhe një toger dhe dy zyrtarë policor, ndërsa tha se pasi ishin takuar me ta kishin shkuar në repartin e kardiologjisë, në të cilin kishin takuar një gardian nga i cili kishin kërkuar që ta lirojë rrugën që të shikohet nëse në dhomë ishte brenda Sami Lushtaku.

“Gardiani mbiemrin e di që e ka pasur Behramaj, sipas togerit Arsim Shala ai nuk i kishte lejuar të hyjnë brenda mirëpo kur komandanti ka kërkuar nga ai të lirohet rruga e ka liru, kur komandanti ka hyrë brenda në dhomë e ka verifikuar se Lushtaku nuk gjendet në dhomë, pastaj kemi shkuar në URL, aty nuk ka qenë asnjë gardian tek dhoma e Sahit Jasharit dhe brenda në dhomë nuk ka qenë askush, pastaj kemi vazhduar në klinikën infektive, në korridor të kësaj klinike ka qenë një zyrtar korrektues, dhe komandanti Binak Berisha e ka pyetur se a gjendet brenda dhe se a e ke njoftuar dikë nga eproret tu, ai është përgjigjur korrekt se askush nuk është në dhomë dhe se nga kjo derë nuk ka dalë askush”, tha ai.

Pastaj ai tha se kur kishin arritur Drejtoria Rajonale dhe ajo e Përgjithshme e Policisë ishte krijuar dhoma komanduese në spital.

Në këtë seancë versionin e tij në lidhje me rastin e arratisjes së Lushtakut dhe dy të tjerëve nga QKUK e ka dhënë edhe zyrtari policor Muhamet Cakiqi, i cili tha se komandanti i stacionit e kishte urdhëruar që të shkojë së bashku më të në QKUK.

“Kemi shkuar përmes emergjencës në kardiologji dhe në fund të korridorit është hasur një gardian të cilin e ka pyetur komandanti se kënd e ruan, ai fillimisht ka hezituar për të treguar, mirëpo nuk ka treguar se a është brenda personi të cilin e ruan apo jo”, tha ai.

Pastaj tha se kishin hyrë brenda në dhomë, kurse Fatmir Abiti e kishte legjitimuar gardianin Valon Behramaj, ku në atë dhomë tha se kishin hasur në dy femra, të cilat tha se komandanti kishte biseduar me njërën prej tyre.

“Kemi hyrë në dhomë ku është dashur të jetë Sami Lushtaku, në shikim u vërtetu se nuk ka asnjë njeri në të dhe pastaj prej aty kemi shkuar në URL, për të kërkuar të paraburgosurit, aty as ska pasur gardian, është shtyrë dera, ka qenë një TV i ndezur dhe një reshov i nxehtë, vetëm kemi vërtetuar se s’ka pasur njerëz, pastaj kemi shkuar në infektiv, kemi takuar edhe një gardian i cili ka qenë bashkëpunues nuk e di kënd e ka ruajtur, ai na ka thënë se nga dera nuk ka dalë kerkush, kemi hyrë në dhomë mirëpo nuk ka qenë në askush, por dera e tarracës ka qenë e hapur”, ka thënë ai.

Sipas tij, komandanti i kishte njoftuar eprorët më të lartë të regjionit, ndërsa ai kishte mbetur për marrjen e shënimeve të përpilimit të raportit.

Ai tha se kishte qenë edhe prokurori i EULEX-it, në disa takime që ishin mbajtur, dhe sipas tij djali i Lushtakut, Mergim Lushtaku kishte qenë bashkëpunues.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 15 tetor 2019, në ora 09:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi