KGJK shpall konkurset për kryetar të gjykatave në Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj dhe për anëtar të KGJK-së nga gjyqësori

Foto (3)
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 27, 2021

Prishtinë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të mërkurën ka marr vendim për shpalljen e konkursit për kryetar të gjykatave themelore në Prishtinë, Prizren dhe Ferizaj.

Gjykata Themelore në Prizren nga muaji korrik 2020 është duke funksionuar me ushtrues detyrës pas pensionimit të ish-kryetarit Ymer Hoxha, kurse gjykatat në Prishtinë dhe Ferizaj janë duke funksionuar me ushtrues detyre nga 1 janari i këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Para shpalljes së konkursit, kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj tha se fillimisht ishte planifikuar që këto konkurse të hapen gjatë muajit shkurt. Po ashtu, edhe gjyqtari Qerim Ademaj tha se kishte kërkuar shtyrjen e hapjes së konkursit për muajin shkurt për shkak se siç tha, kishte menduar që fillimisht të bëhet një analizë e të gjitha pozitave të lira që mund të shpallen për gjyqtar si dhe të bëhet rishikimi i organogramit.

Lidhur me këtë, Ademaj tha se dje ka kuptuar që janë 35 pozita të lira për gjyqtar dhe nuk ka ndonjë pengesë që ato të plotësohen menjëherë.

E kritika për mos shpalljen e konkurseve deri më tani pati gjyqtari Avni Mehmeti, i cili tha se ka qenë obligim i KGJK që të hap konkurset brenda afateve ligjore.

Duke ju përgjigjur gjyqtari Mehmeti, kryesuesi Çoçaj tha se arsye se pse nuk janë shpallur konkurset brenda afateve ligjore ka qenë situata me pandemi.

Por me këtë nuk u pajtua gjyqtari Mehmeti i cili tha se arsyeja për mos shpalljen e konkurseve nuk ka qenë pandemia, duke shtuar se gjatë kësaj periudhe, KGJK kishte zgjedhur dy kryetar të gjykatave, nëntë gjyqtarë që ishin avancuar në departamentet speciale dhe tre tjerë për në Gjykatën e Apelit. Sipas Mehmetit, arsyet kane qenë personale, por tha se nuk po dëshiron që këto t’i bëj publike.

E në kundër replike, kryesuesi Çoçaj tha se puna e institucioneve kishte rifilluar me 1 qershor 2020, atëherë kur tha se “mendum se shpëtum nga pandemia”, dhe konkursi për avancim në departament special është shpallur në qershor dhe se në atë periudhë kohore ishin përfunduar procedurat.

Nga shtatori e tutje, Çoçaj tha se situata me pandemi është vështirësuar dhe kjo ka qenë arsye për shtyrjen e shpalljeve të konkurseve.

Ndërsa, gjyqtari Driton Muharremi tha se diskutimi lidhur me shpalljen e konkurseve është konsumuar dhe shtoi se sa më shumë që zgjaten gjykatat me ushtrues detyre, do dalin probleme në praktikë siç ka ndodhur në të kaluarën.

Ndryshe, KGJK gjatë kësaj mbledhje hapi edhe thirrjen për zgjedhjen e zëvendës kryesuesit të KGJK-së.

Po ashtu, KGJK mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për tre anëtar të KGJK-së nga radhët e gjyqësorit, konkretisht, për një anëtar nga Gjykata e Apelit dhe dy anëtar nga Gjykata Supreme.

Anëtarëve aktual të KGJK nga Supremja, gjyqtarëve Muhamet Rexha dhe Manushe Karaqi u skadon mandati më 3 mars 2021.

Për këto konkurse, KGJK formojë edhe komisionin ad-hoc për shqyrtim të dokumentacionit të kandidatëve, në përbërje nga gjyqtarët, Cerim Fazliji, Muhamet Rexha dhe Anita Krasniqi-Prenaj.

Po ashtu, Këshilli formojë edhe komisionin mbikëqyrës për zgjedhjen e anëtarit nga radhët e Gjykatës së Apelit, në përbërje nga Vilard Bytyqi, Radojka Trifunovic dhe Cerim Fazliji kurse për Gjykatën Supreme, komision në përbërje nga gjyqtarët, Qerim Ademaj, Cerim Fazliji dhe Driton Muharremi.

Gjithashtu, gjatë të mërkurës, KGJK shpalli konkursin edhe për 11 pozita të gjyqtarëve mbikëqyrës në degët e gjykatave në Lipjan, Suharekë, Dragash, Klinë, Istog, Deçan, Malishevë, Vushtrri, Skenderaj, Rahovec dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme. /BetimipërDrejtësi