KGJK miraton Rregulloren për Vlerësimin e Performancës së Gjykatësve
Raporton: Arbelina DEDUSHAJ
Prishtinë – Në mbledhjen e 161-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) u miratua Rregullorja për Vlerësimin e Gjykatësve bashkë me ndryshimet dhe propozimet e anëtarëve të Këshillit. Kjo rregullore u miratua me 8 vota për, anëtari Nebojsha Boriçiq votoi kundër, ndërsa apstenuan anëtarët Muhamet Rexha dhe Nenad Laziq.
Ndër të tjera anëtari i Këshillit, Armend Berisha potencoi se Komisioni për Vlerësimin e Gjykatësve do të jetë i përbërë nga 13 anëtarë, 6 anëtarë nga Gjykata Supreme, ku njëri nga ta do të jetë edhe Kryesuesi i Komisionit, 4 nga Gjykata e Apelit dhe 3 anëtarë nga Gjykatat Themelore.
KGJK po ashtu morri vendim që ushtrues detyre në Gjykatën Themelore në Pejë të jetë Lumturije Muhaxheri, të cilën detyrë e njëjta e ka ushtruar deri në ditën e mbajtjes së kësaj mbledhje. Pozita e ushtueses së detyres Muhaxherin do ta obligojë deri në momentin e zgjedhjes së kryetarit të së njëjtës gjykatë përmes konkursit publik.
Po ashtu për plotësimin e komisionit për rekrutimin e gjyqtarëve u votua njëzëri që anëtare të jetë Hajrije Shala.
Në këtë mbledhje u miratuan unanimisht ekstraktet e procesverbaleve nga mbledhja 153, 154, 155 dhe 156 të KGJK-së, kërkesa e Sekretariatit të KGJK-së për shpërndarjen e 16 pozitave dhe pika shtesë që ka të bëjë me ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Rekrutimin dhe Emërimin e Gjykatësve.
Pikat e rendit të ditës që kanë të bëjnë me shqyrtimin e kërkesës së SKGJK-së në lidhje me emërimin e disa pozitave dhe shqyrtimin e strukturës së brendshme të këtij Sekretariatit u shtynë, pasi nuk kishte mundur që të sigurohet materiali nga ana e tyre, përkatësisht nga vet Sekretariati.
Ndërsa si pikë e mbyllur e rendit të ditës ishte shqyrtimi i një shkrese nga EULEX-i. Lidhur me këtë pikë kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi njoftoi se kjo pikë do të shtyhet, pasi përfaqësuesi i EULEX-it nuk ishte i pranishëm në mbledhje.