KGJK miraton dy rregullore, një plan strategjik si dhe shpall konkurs për tri procese rekrutuese

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 288-të, të mbajtur të martën, ka miratuar Rregulloren për procedurën e certifikimit, emërimit, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe shpërblimin e ekspertëve gjyqësor si dhe Rregulloren për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave.  

Gjithashtu, Këshilli ka miratuar edhe Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022 – 2025, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë takim, KGJK ka shpallur konkurs për 82 pozita për bashkëpunëtor profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, ku 13 prej këtyre pozitave janë të rezervuara për komunitetin serb.

Po ashtu, Këshilli ka shpallur konkurs edhe për certifikimin dhe emërimin e ekspertëve gjyqësor si dhe konkurs për administrator dhe zëvendësadministrator të gjykatave.

Kryetarja e komisionit për çështje normative, njëherësh edhe anëtarja e Këshillit, Drita Rexhaj ka paraqitur para anëtarëve të Këshillit rëndësinë e Planit strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025.

Sipas anëtares Rexhaj, qëllimi i përgjithshëm i planit është rritja e efikasitetit në zgjidhjen e rasteve me fokus të veçantë tek efikasiteti i trajtimit të rasteve të natyrës prioritare sipas ligjit, si dhe rasteve në pritje për më shumë se 24 muaj, të cilat raste janë në procedurë gjyqësore.

Për rëndësinë e këtij plani është deklaruar edhe kryesuesi Zogaj, i cili ka falënderuar projektin e USAID-it për kontributin në hartimin e këtij plani.

Ndërsa, KGJK ka vendosur që të mos themelohet grup punues për mbikëqyrjen e implementimit të planit strategjik, por këtë detyrë ta kryejë Komisioni për Administrimin e Gjykatave.

Në takimin e së martës, pas shumë diskutimeve mes anëtareve u miratua edhe rregullorja për procedurën e certifikimit, emërimit, kushtet, të drejtat, detyrimet dhe shpërblimin e ekspertëve gjyqësor.

Sipas anëtares Rexhaj, që nëntë vite nuk është licencuar asnjë ekspert nga gjykatat dhe Këshilli, për arsye të mungesës ligjore.

“Që nëntë vite asnjë ekspert nuk është licencu as nga gjykatat as nga Këshilli për arsye të mungesës së legjislatives gjyqësore, po ashtu edhe listat nuk kanë qenë të përditsume, po ashtu edhe mënyra se si ata janë vendosur në listën e ekspertëve gjyqësorë ka paraparë që të ketë kritere minimale”, tha anëtarja Rexha.

Ndërsa, lidhur me çështjet e kompensimit dhe tarifave të ekspertëve gjyqësor, në këtë rregullore ka paraqitur vërejtje anëtari i KGJK-së, Avni Mehmeti.

Në këtë takim KGJK ka konfirmuar edhe listën finale për bashkëpunëtorë profesional në gjykatat e Republikës së Kosovës, me ç’rast kryesuesi Albert Zogaj sqaroi se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ka pezulluar procedurën administrative për shqyrtimin e disa ankesave dhe se sipas tij nuk është pezulluar procesi e rekrutimit të bashkëpunëtorëve profesional.

Gjithashtu, Zogaj shtoi se ky është një lajm i mirë për sistemin gjyqësor pasi që do të fuqizohen kapacitetet e gjykatave dhe do të hapen rrugët e ndërtimit të karrierës.

Si pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe miratimi i kërkesave për transferimin e përhershëm të katër bashkëpunëtorëve profesional në Gjykatën Themelore në Pejë, Gjykatën Themelore në Prishtinë,  Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti dhe Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Anëtarët e Këshillit autorizuan drejtorin e përgjithshëm të SKGJK-së, Shkelzen Maliqi, të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për inicimin e procedurave për shpalljen publike të konkursit të jashtëm nr. 02/2022 dhe konkursit të brendshëm nr. 02/2022, sipas planit të punësimit për fazën e dytë.

Me vërejtje nga disa anëtarë është përcjellë edhe miratimi i Rregullores për Procedurën e Rekrutimit, Përzgjedhjes dhe Themelimin e Marrëdhënies së Punës për Administratorë të Gjykatave.

Anëtari Mehmeti ka propozuar që disa nene të kësaj rregulloreje të fshihen pasi sipas tij janë në kundërshtim me Ligjin për shërbyesit civil.

Ai ka propozuar që mandati i administratorëve të mos kufizohet me këtë rregullore, që statusi i tyre të mos rregullohet me ligjin e punës dhe që akt emërimi i tyre të mos zëvendësohet me kontratë pune.

Mirëpo, këto propozime nuk janë votuar nga anëtarët e Këshillit, kështu që rregullorja me përmbajtjen e paraqitur para anëtarëve është miratuar me votë unanime të anëtarëve të Këshillit.

Takimi ka vazhduar me pika tjera të rendit të ditës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Të gjitha takimet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) monitorohen nga “Betimi për Drejtësi”.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë