KGJK-ja tërhiqet nga diskutimi i shqyrtimit të  draft-rregullores për procedurën disiplinore për anëtarët këtij këshilli  

Raporton: Elsa KOLLQAKU

Prishtinë – Këshilli Gjyqësorë i Kosovës (KGJK), në takimin e 295-të është tërhequr nga diskutimi i shqyrtimit të draft rregullores për procedurën disiplinore për anëtarët e këtij këshilli.

Kryetari i KGJK-së, Albert Zogaj me dakordimin e anëtarëve të tjerë është tërhequr nga diskutimi i kësaj rregullore deri në mbledhjen e radhës së këshillit për të pasur draftin sipas diskutimeve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, anëtarja e KGJK-së  Drita Rexhaj tha se komisioni për çështje normative bazuar në ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe rregulloren për veprimtarin e brendshme të KGJK-së, sipas prioriteteve të planit të punës edhe të këshillit por edhe të komisionit ka marr iniciativa për hartimin e rregullores për procedurat disiplinore për anëtarët e këtij këshilli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Qëllimi i kësaj rregullore është përcaktimi i rregullave për zbatimin e procedurës disiplinore ndaj anëtarëve të këshillit duke përfshirë procedurën e hetimit, procedurën e suspendimit po ashtu edhe procedurën e rekomandimit për shkarkim të anëtarit të këshillit i cili është përfshirë në shkelje disiplinore”, tha ajo.

Tutje Rexhaj sqaroi se me këtë rregullore janë paraparë shkelje disiplinore, sanksione disiplinore, mjete me të cilat iniciohet procedura disiplinore, po ashtu komisioni, përbërja e komisionit dhe mandati i komisionit.

Por, për këtë akt normativ kishin kundërshtime anëtarët e tjerë, me arsyetimin se rregullorja nuk është e qartë, duke vlerësuar se duhet të ndahen shkeljet disiplinore kur janë të kryera si gjyqtarë nga shkeljet disiplinore të kryera si anëtarë të këshillit.

Tutje, në këtë takim me shumice votash është miratuar draft-katalogut për plotësimin dhe ndryshimin e Katalogut të pozitave dhe përshkrimit të vendeve të punës për të punësuarit e gjyqësorit.

Rexhaj, tha se  në katalogun bazë janë përfshi 37 pozita, ku tani i bashkëngjitet edhe pozita e këshilltarit ligjor, sikur edhe në katalogun bazë janë 16 karakteristika të cilat e kanë identifikuar pozitën e të punësuarve ne administratën gjyqësore kështu edhe kjo pozitë i mban këto 16 karakteristika.

“Me plotësim ndryshimin e këtij katalogu besoj që i hapim rrugë gjykatës komerciale për me bë thirrjen publike për me plotësuar pozitën e kreut ligjorë. mendoj që është një akt që e plotëson katalogun bazë dhe i kontribuon gjykatës komerciale”, ka thënë ajo. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë