KGJK-ja s’e anulon vendimin paraprak, por merr vendim që të nxjerr rregulla të reja për qasjen e avokatëve në gjykata

received_215310539410314
Author

Raporton: Gzim SHALA

Janar 10, 2019

Prishtinë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marr vendim që të hartojë rregulla të reja për qasjen e avokatëve në objektet e gjykatave të vendit, por duke mos e anuluar vendimin/rekomandimin paraprak.

Një vendim i tillë, është marrë në një takim që KGJK-ja e ka mbajtur të enjten, pas situatës së krijuar pas vendimit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) për bojkotimin e seancave gjyqësore, ku për këtë shkak që nga e mërkura kanë dështuar shumë seanca gjyqësore në të gjitha gjykatat e Kosovës.

KGJK në mënyrë unanime ka marrë vendim që brenda një afati të arsyeshëm kohor, Komisioni për Çështje Normative dhe ai për Administrimin e Gjykatave së bashku me kryetarët e gjykatave, të nxjerrin norma unike lidhur me këtë çështje.

Kryesuesi i KGJK-së, Nehat Idrizi, ka thënë se qëllimi i rekomandimit nuk ka qenë kufizimi i qasjes së avokatëve në gjykata, por ndalimi i komunikimit në mes gjyqtarëve dhe avokatëve, pa qenë e pranishme pala tjetër, përkatësisht komunikimit “ex-parte”.

“Më duhet të sqarojë, megjithatë, ta bëjë kristal të qartë: As Këshilli dhe as gjykatat nuk kanë ndërmarrë dhe nuk do të ndërmarrin masa që kufizojnë ose cenojnë qasjen kushtetuese dhe ligjore të palëve në objektet e gjyqësorit të Republikës së Kosovës. Por, ajo çfarë është e palejueshme dhe synohet të parandalohet dhe pengohet ka të bëjë me komunikimin e paarsyeshëm ex-parte. Kjo, përveç tjerash, pasi qasja e plotë, e çdo kohëshme dhe si rrjedhojë komunikimi i përhershëm dhe pa asnjë kufizim i avokatëve dhe palëve të tjera me gjyqtarët mund të ngrisë dyshime për diskutim nga ana e tyre të rasteve që avokatët përfaqësojnë dhe kësisoj dyshime rreth trajtimit nga ana e gjyqtarëve të të gjitha palëve në mënyrë të barabartë, pa favorizime, anime dhe paragjykime, ashtu siç kërkohet me ligj dhe me Kodin e Etikës Profesionale për Gjyqtarë”, ka deklaruar Idrizi.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, ka thënë se ka shumë dilema se si të veprohet në këto raste, duke thënë se nuk është e rregullt që bojkoti i avokatëve të zhvillohet edhe në raste urgjente.

“Ka shumë problem në rastet e natyrave urgjente. Mund të ketë raste të paraburgimit. Çfarë të bëjmë në këto raste? A ti lirojmë kryerësit? Mund të ketë raste kur janë zhvilluar hetime për një kohë të gjatë, ndërsa tash janë zënë kryerësit. Në këto rrethana çfarë të bëjmë. Këtu ka dilema të mëdha. Edhe ne vet kemi hyrë në raste të caktuara në grevë, por nuk kemi bojkotuar rastet e natyrave urgjente. Nuk është në rregull nga ana e tyre që ta sfidojnë shtetin”, ka thënë kryetari Hoxha.

Lidhur me këtë, kryesuesi Idrizi ka thënë se ajo është përgjegjësi e OAK-së, dhe jo e KGJK-së.

Sipas Idrizit, KGJK duhet ta kryejë vetëm punën e saj sipas ligjit, ndërsa për pasoja eventuale ata nuk janë përgjegjës.

Lidhur me bojkotin e avokatëve, të enjten ka reaguar publikisht edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Sipas IKD-së, KGJK dhe OAK të anulojnë vendimet e tyre të kundërligjshme që kanë prodhuar kufizime, bojkot dhe bllokadë të punës në sistemin e drejtësisë në dëm të drejtësisë dhe qytetarëve.

“IKD si organizata e vetme që monitoron sistematikisht sistemin gjyqësor dhe prokurorial, gjen se këto vendime janë duke prodhuar dëme të mëdha, të cilat po ndikojnë drejtpërdrejtë në shkeljen e të drejtave të qytetarëve. Bazuar në të dhënat e monitorimit sistematik të IKD-së, rezulton se vetëm me 9 janar 2019, janë shtyrë 161 seanca gjyqësore në çështjet penale. Në të gjitha këto raste, më së shumti janë duke pësuar palët në procedurë, duke mos arritur të realizojnë të drejtat e tyre të garantuara me legjislacionin pozitiv. IKD shpreh shqetësim për këtë situatë të krijuar për shkak të qasjes së KGJK-së dhe OAK-së, të cilat kanë ndikuar që një numër i madh i rasteve të natyrës urgjente siç janë ato të paraburgimit të dështojnë më 9 janar 2019. Me këtë problem janë duke u ballafaquar gjykatësit dhe prokurorët edhe sot me datë 10 janar 2019 për shkak të natyrës urgjente që kanë këto raste, të cilat nuk mund të procedohen pa përfaqësimin e avokatëve. IKD ka analizuar vendimet respektive të këtyre dy institucioneve dhe pasojat e krijuara si rezultat i kësaj situate. IKD vlerëson se KGJK ka vepruar në mënyrë të gabuar dhe pa bazë kur ka nxjerrë vendim/rekomandim për ta rregulluar çështjen e qasjes së avokatëve në gjykata. Vendimi i KGJK-së për më tepër është selektiv, i pabazuar dhe pa arsyetuar si duhet, i cili ka prodhuar pasoja, duke shkaktuar deme tek palet, duke zvarritur proceset gjyqesore. IKD po ashtu shpreh shqetësimin lidhur me mënyrën se si Oda e Avokatëve të Kosovës ka reaguar dhe e ka menaxhuar këtë situatë si rezultat i vendimeve të KGJK-së. OAK padyshim se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të saj ka nxitjen e një qasjeje sa më të plotë dhe të barabartë të përfaqësimit ligjor për të gjithë personat pa marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale. OAK ka për mision të vendosë standarde të larta të profesionalizmit, kompetencës, besimit dhe sjelljes etike për avokatët në Kosovë. Për më tepër, Oda i konsideron synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit ligjor dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike.

Në këtë drejtim, edhe Vendimi i OAK që në mënyrë të njëanshme dhe të bojkoton në mënyrë të përgjithshme dhe të pakufizuar të gjitha seancat gjyqësore, përfshirë rastet e paraburgimit, si dhe bojkotimin e përfaqësimit të rasteve në Polici dhe Prokurori, bie në kundërshtim me vlerat dhe parimet që i promovon ky institucion. Rrjedhimisht, përmes këtij vendimi, cenohen të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve, rastet e cilëve nuk mund të procedohen pa përfaqësimin e mbrojtjes nga avokatët. Në të njejtën kohë si KGJK ashtu edhe OAK, kanë injoruar obligimet që dalin nga ligji i aplikueshëm në Kosovë, e veçanarisht në drejtësinë penale. Këto dy institucione përmes vendimeve dhe veprimeve të tyre kanë shkelur parimet dhe standardet e përcaktuara më Kodin e Procedurës Penale” thuhet në reagimin e IKD-së.

IKD i ka rekomanduar KGJK-së që Vendimi lidhur me rregullin dhe disiplinën në gjykatat e Kosovës, duhet të bëhet përmes aktit nënligjor respektivisht rregullores së miratuar në KGJK. Rregullorja duhet të jetë e bazuar në ligj, duke respektuar dhe promovuar standarde që rrisin besimin e publikut dhe integritetin në sistemin gjyqësor të Kosovës, por që në të njejtën kohë i mbrojnë dhe i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjitha palët në procedurë gjyqësore.

Po ashtu, sipas IKD-së, OAK duhet të tërheq urgjentisht vendimin për ndalimin e përfaqësimit të avokatëve në të gjitha rastet, duke lejuar përfaqësimin në rastet e natyrës urgjente, siç kërkohet me ligj dhe në komunikim dhe koordinim më KGJK-në të gjejnë një zgjidhje për të mundësuar zhvillimin e procedurave gjyqësore në pajtim me ligjin e aplikueshëm.