KGjK-ja miraton Planet e Punës për vitin 2022 për gjyqësorin, aprovohen edhe raportet e punës së gjykatave për vitin 2021

Raporton: Mirvet Thaqi

Prishtinë- Këshilli Gjyqësor i Kosovës në takimin e 276 të mbajtur këtë të enjte ka miratuar Planet e Punës për vitit 2022 për Gjykatën e Apelit dhe shtatë gjykatat themelore.

Po ashtu, KGjK në këtë mbledhje ka miratuar edhe raportet e punës për tremujorin e III dhe IV të vitit 2021, si dhe raportimin për vitin 2021 të Gjykatës së Apelit dhe atyre themelore.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë Albina Shabani-Rama, ka thënë se karakteristikë e vitit 2021 për gjykatën që ajo udhëheq ka qenë numri i madh i lëndëve te reja, çka sipas saj nuk ka ndodhur në vitet e kaluara. Ajo tha se gjatë këtij viti janë pranuar 51,211 mijë lëndë të reja, ndërsa në total kanë pasur në punë 111,348 lëndë, kurse kjo gjykatë ka arritur t’i përfundoj 29,009 prej tyre.

“Efikasiteti i gjykatës së bashku me degë ka qenë  56.64%. Në rast se bëhet një krahasim me vitin e  kaluar  shihet se efikasiteti ka qenë 60.6% mirëpo numri i lëndëve të pranuara në vitin e kaluar ka qenë përgjysmë apo edhe shumë më pak se këtë vit”, deklaroi Shabani-Rama.

Shabani-Rama shtoi se kanë numër shumë më të madh të lëndëve në raport me gjykatat e tjera dhe kërkoi nga KGJK që për këtë gjykatë të siguroj numër më të madh të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës.

“Unë konsideroj se KGJK duhet të bëj një rishikim komplet të organizimit të strukturës në Gjykatën e Prishtinës  dhe të bëhet shpërndarja edhe e gjyqtarëve në raport me ngarkesën e lëndëve, nëse krahasohet me gjykatat e tjera shihet se gjyqtarët e Prishtinës bukur shumë 100 edhe ndoshta 200 apo 300% më të ngarkuar se gjyqtarët e degëve tjera”, tha Shabani-Rama.

Kryetarja Shabani-Rama, tha po ashtu se gjatë vitit 2021 fatkeqësisht ka pasur numër të madh të lëndëve që janë parashkruar, kryesisht lëndë që gjykohen në Departamentin e Përgjithshëm por edhe në Divizionin e Kundërvajtjes.

Shabani-Rama ka theksuar se gjatë vitit që lamë pas, ka pasur parashkrim edhe të disa lëndëve të korrupsionit, duke shtuar se ka edhe lëndë të mëdha të korrupsionit që rrezikojnë parashkrimin absolut të ndjekjes penale.

Sipas saj, për këtë nuk mund të fajësohen vetëm gjyqtarët që aktualisht po trajtojnë këto raste por duhet pasur parasysh edhe faktin se ato janë lëndë të transferuara nga EULEX-i, se të njëjtat janë kthyer disa herë në rigjykim dhe se ato i kanë gjykuar që në këtë vit janë avancuar në Departamentin e Krimeve të Rënda, si dhe për shkak se gjyqtarët paraprak janë avancuar në Departamentin Special apo në Gjykatën e Apelit.

“Fatkeqësisht edhe në vitin 2021 nuk kanë qenë shumë evidente por ka pas edhe lëndë të korrupsionit të cilat janë parashkruar e ka lëndë të cilat rrezikojnë qysh në fillim të këtij vitit që konsiderohen lëndë bukur të mëdhaja që i nënshtrohen rrezikut të parashkrimit absolut”, shtoi Shabani-Rama.

Kryetarja Shabani-Rama ka njoftuar se gjatë vitit të kaluar kanë pranuar gjithsej 63 ankesa ndaj gjyqtarëve për inicim të procedurave disiplinore, derisa ishte kërkuar inicimi i procedurës së tillë në vetëm një rast.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan Ramiz Azizi ka njoftuar se gjatë vitit 2021, gjykata që ai e udhëheq ka pasur një efikasitet prej 87% të lëndëve të kryera, por që konsideron që mund të ishin kryer me shumë raste.

“Numri i lëndëve të trashëguara nga viti i kaluar kanë qenë 16 mijë e 468 lëndë, kurse numri i lëndëve të ardhura 11 mije e 797, janë kryer 10 mijë e 279 kanë mbetur në punë edhe 7 mijë e 986 lënde apo 87 %”, tha ai gjatë raportimit.

Kryetari Azizi, ka thënë se të gjitha lëndët e korrupsionit në Gjilan janë në procedurë dhe se nuk ka as lëndë të “shënjestruara” për tu trajtuar në këtë gjykatë.

Në lidhje me rrezikun për parashkrimin e lëndëve, Azizi tha se nuk e kanë një problem të tillë pasi 99% e gjyqtareve e presin lëndën dhe nëse ka qenë ndonjë lëndë që është parashkruar nuk ka qenë faji i gjyqtarëve.

Ndër të tjera ai përmendi edhe mungesën e stafit profesional, ku tha se stafi është vjetruar dhe ata që po dalin ne pension nuk po zëvendësohen, teksa theksoi edhe mungesën e prokurorëve. Sa i përket ndarjes së lëndëve, Azizi tha se ajo bëhet në mënyrë proporcionale dhe se nuk ka fare ndikim si kryetar i kësaj gjykate.

Gjatë raportimit të tij, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prizren Artan Sejrani tha se kjo gjykatë në vitin 2021 ka trashëguar 11,478 lëndë nga viti paraprak, 12,074 lëndë kanë ardhur të reja, derisa janë kryer 9,200 lëndë.

Sejrani ka njoftuar se përqindja më e ulët në kryerjen e lëndëve në këtë gjykatë i referohet Divizionit Civil, me një efikasitet prej 45.44%. Këtë ai e ka arsyetuar me numrin e vogël të gjyqtarëve e mungesës së sallave gjyqësore.

Ndërsa, kryetari i Gjykatës Themelore në Gjakovë Nikollë Komani ka njoftuar se sfidë gjatë vitit 2021 për këtë gjykatë ka qenë puna me staf esencial si shkak i pandemisë, fakti se objekti i gjykatës nuk i plotëson kushtet për punë me vetëm tri salla gjykimi si dhe numri i vogël i gjykatësve.

Sa i përket kryerjes së lëndëve gjatë vitit 2021, Komani ka njoftuar se efikasiteti i kësaj gjykate në zgjidhjen e lëndëve penale ka qenë 103%, derisa vetëm 42% në zgjidhjen e lëndëve civile.

“Në total gjatë tërë vitit kemi pranuar 4,899 lëndë, janë kryer 3,263 lëndë dhe shkalla e efikasitetit ka qenë 67%”, tha Komani.

Komani deklaroi se të gjitha lëndët e korrupsionit të ushtruara pranë kësaj gjykate janë duke u shqyrtuar, ndërsa sa i përket rasteve të shënjestruara, një lëndë e cila ka qenë në punë është kryer tashmë.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë Armend Berisha gjatë raportimit të tij, deklaroi se gjatë tre mujorit të tretë dhe të katërt gjyqtarët e selisë dhe të Istogut janë angazhuar maksimalisht, ndërsa kjo nuk mund të thuhet për gjyqtarët e degës Deçan dhe Klinë.

Si sfidë për Gjykatën e Pejës, Berisha ka përmendur numrin e vogël të gjyqtarëve, ku sipas tij, pas pensionimit të disa gjykatësve, kjo gjykatë rrezikon të mbetet me 28 gjyqtarë. Sfidë tjetër ka përmendur objektin e vjetër dhe të papërshtatshëm të gjykatës.

Për vitin 2022, sipas Berishës, Gjykata e Pejës ka zgjidhur 926 lëndë penale të përgjithshme, 264 lëndë të krimeve të rënda, 50 lëndë penale për të mitur, 2039 lëndë kontestimore, 238 lëndë jo kontestimore dhe 994 lëndë kundërvajtëse.

Për vitin 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj dhe degët e saj, sipas kryetarit të saj, Mustaf Tahiri ka pasur në punë gjithsej 28,627 lëndë, janë zgjidhur 10182, derisa të pazgjidhura kanë mbetur 18,445 lëndë.

Sipas Tahirit, norma e spastrimit të përgjithshëm të të gjitha lëndëve të kësaj gjykate dhe degëve të saj arrinte përqindjen prej 68.60%.

Sipas Tahirit, përkundër vështirësive dhe mungesave në gjyqtar dhe stafin mbështetës ka arritur të ketë një rezultat të kënaqshëm gjatë vitit të kaluar.

Tahiri theksoj se në këtë gjykatë nuk ka asnjë lëndët të korrupsionit e cila rrezikon parashkrimin.

Raportimi i bërë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës së Apelit Afrim Shala, për shkak të disa problemeve teknike në platformën “zoom”, nuk ka qenë i mundur që të ndiqet nga ana e publikut.

Ndërsa, raportimi i kryetares së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë Ljiljana Stevanoviq është bërë në gjuhën serbe, ndërsa nuk është siguruar përkthim në gjuhën shqipe për publikun që ka ndjekur takimin nga platforma “online”

Pikat tjera të rendit të ditës së Këshillit janë diskutuar prapa dyerve të mbyllura./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë