KGJK: Gjyqtarët mund të kufizojnë qasjen e gazetarëve dhe incizimin me kamerë të seancave, vetëm me vendime të arsyetuara mirë

KGJK-620x275-2 (1)
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Prill 30, 2021

Prishtinë – Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen që ka mbajtur këtë të premte ka diskutuar lidhur me kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për xhirimin e seancave gjyqësore.

IKD ju kishte drejtuar me një shkresë KGJK-së, ku kishte kërkuar që duke zbatuar obligimet ligjore, monitoruesve të IKD-së t’u mundësohet qasja e papenguar dhe xhirimi me kamerave i seancave publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë kërkesë të IKD-së, Departamenti Ligjor në kuadër të sekretariatit të KGJK-së, më 26 prill 2021 ka nxjerrë një opinion ligjor me të cilin, i ka rekomanduar Këshillit që t’i njoftojë kryetarët e gjykatave dhe gjyqtarët mbikëqyrës, që në rast të kufizimit të incizimeve audio dhe video të seancave publike, të nxjerrin vendime të shkruara.

Sipas këtij opinioni, në rast se gjyqtarët nuk lejojnë incizim e seancave publike, atëherë arsyetimet për refuzim nuk duhet të jenë vetëm verbale porse, ato vendime duhet të arsyetohen me shkrim në përputhje me obligimet ligjore.

Ashtu siç është cekur në kërkesën e IKD-së, edhe ky opinion ligjor thekson se i gjithë legjislacioni vendor dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë, parashohin se gjykimi është publik, përveç rasteve të përjashtimit të publikut në rrethanat kur kërkohet me ligj.

Duke diskuar lidhur me kërkesën e IKD-së, kryesuesi i KGJK-së Skender Çoçaj tha se ndonëse gjyqtari që udhëheq seancën është kompetent për të vendosur për mbarëvajtjen e seancës, është shumë e rëndësishme, tha ai, që seancat të jenë publike dhe transparente.

Çoçaj tha se në raste të caktuara gjyqtari mund të vendosë edhe të mbyll seancën për publikun, porse në këto raste, ai tha se duhet të nxjerrët edhe një vendim për mbylljen e seancës.

Sipas Çoçajt, si KGJK janë të mendimit që rritja e transparencës është kruciale dhe e rëndësishme dhe për këtë tha se do të shikohet mundësia që së bashku dhe në komunikim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtar, të nxjerrin edhe ndonjë një akt të caktuar që rregullon këtë fushë.

Zëvendës-kryesuesi i KGJK-së, Qerim Ademaj tha se seancat gjyqësore janë të hapura përveç rasteve kur gjyqtari vlerëson se seanca duhet të mbyllet, mirëpo i njëjti tha se në këto raste, si Këshill nuk mund të interferojnë në punën e gjyqtarëve.

“Kështu që unë po mendoj që gjyqtarët janë në dijeni se si duhet të zhvillohet një seancë, nëse na vendosim diçka tjetër jashtë asaj që është vendosur me ligj, po përzihemi tani në kompetenca”, tha Ademaj.

Anëtari tjetër i KGJK-së, Albert Zogaj tha se gjyqtarët duhet gjithmonë të respektojnë kërkesat e ligjit për publicitetin e seancave gjyqësore.

Përkitazi me këtë, Zogaj tha se në çdo rast kur gjyqtarët konsumojnë shkelje disiplinore apo etike, ato shkelje duhet të referohen në mënyrën përkatëse. Zogaj tha se gjyqtarët duhet në çdo rast veç e veç, të vendosin nëse duhet kufizohet publiciteti në kuptim të incizimit, pasi siç tha, nuk munden si Këshill të japin një urdhër apo vendim që përcakton specifikisht si duhet të veprojë gjyqtari.

Zogaj tha se i inkurajojnë gjyqtarët që të kenë parasysh parimin e publicitetit për të cilën tha se është çështje që është e adresuar edhe me ligj ndërsa shtoi se secila organizatë e shoqërisë civile që monitoron fushën e drejtësisë, mund të jap propozime konkrete lidhur me transparencën e gjyqësorit.

Ndërsa, anëtari Vilard Bytyqi tha se është i pajtimit që në këtë rast të shfrytëzojnë mekanizmin e bërjes thirrje për gjyqtarët pasi tha se gjyqësori duhet të jetë i hapur dhe transparent, porse i njëjti tha se do të ishte më mirë që para vetes të kishin raste konkrete ku monitoruesit kanë hasur pengesa gjatë monitorimit./Betimi për Drejtësi.