KGJK: Bie numri lëndëve të pranuara dhe atyre të pazgjidhura në gjykatat në Kosovë

KGJK
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Nëntor 6, 2019

 

Prishtinë – Numri i lëndëve që janë pranuar në të gjitha gjykatat në Kosovë, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2019, ka shënuar rënie në krahasim me vitin paraprak.

Po ashtu, 14 % më pak lëndë të pazgjidhura kanë mbetur në gjykatat e Kosovës, në shtator 2019, në krahasim me vitin paraprak.

Këto të dhëna janë bërë të ditura nga ana e zyrtarit të statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Besnik Ramosaj, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën.

Sipas të dhënave statistikore që i paraqiti Ramosaj, del se gjyqtarët e Gjykatës Supreme, mesatarisht gjatë këtij viti janë ngarkuar me nga shtatë lëndë në muaj, kurse ata të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, mesatarisht me nga 11 lëndë për muaj.

Sa i përket Gjykatës së Apelit, Ramosaj tha se ka një trend pozitiv, pasi që përkundër se lëndë gjatë këtij viti kjo gjykatë ka pranuar më shumë se vitin e kaluar, numri i përgjithshëm i lëndëve të pazgjidhura është 10 % më pak se vitin e kaluar.

Sa i përket Gjykatave Themelore, Ramosaj tha se nga numri i përgjithshëm prej 186,187 mijë lëndë të pazgjidhura, 45 % apo 84,541 mijë nga to janë lëndë të ekzekutimeve, nga lëmia penale, civile dhe ajo e kundërvajtjeve.

Në mbledhjen e së mërkurës, KGJK miratoi edhe kërkesën e Grupit Punues të Përdoruesve të Projektit SMIL, për lirimin nga obligimi i raportimit manual të Gjykatave Themelore dhe degëve të tyre, nga 1 janari 2020, me përjashtim të Degëve të Gjykatës së Mitrovicës, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Miratimit të kësaj kërkese, i parapriu një prezantim i punës së Grupit Punues të Projektit SMIL, nga ana e menaxherit të këtij projekti, Fatmir Rexhepi.

Ky i fundit tha se gjatë dy viteve të fundit, kanë qenë të fokusuar në lëminë penale dhe atë civile të Gjykatave Themelore, me ç’rast kanë trajnuar 1058 punonjës të gjykatave.

“Projekti jon ka filluar të shërbej si model edhe për shtetet e rajonit”, tha Rexhepi gjatë prezantimit që bëri.

Po ashtu, sipas Rexhepit, shumica e gjykatave tashmë e përdorin thuajse 100 % sistemin SMIL, kurse tha se 70 % të lëndëve të vjetra tashmë janë regjistruar në këtë sistem.

Pak prapa, Rexhepi tha se ka mbetur Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ajo në Mitrovicë, kurse, pas përfundimit të implementimit të këtij sistemi në Gjykatën në Prishtinë, do të fillohet pastaj edhe me Gjykatën e Apelit.

Rexhepi tha se janë në fazën testuese edhe lidhur me programin që do të bëj ndarjen në mënyrë automatike të lëndëve tek gjyqtarët, ndërsa si objektiv tha se kanë që të bëjnë ndërlidhjen mes prokurorive dhe gjykatave, ashtu që, të gjitha lëndët nga prokuroria tek gjykata të shkojnë përmes sistemit edhe të skanuara.

E duke u bazuar në këtë performancë që ka pasur sistemi deri më tani, Rexhepi tha se nuk ka nevojë më prej 1 janarit 2020 që të raportojnë në mënyrë manuale gjykatat, pasi ky raportim tashmë mund të kryhet përmes sistemit SMIL.

Ndryshe, KGJK gjatë kësaj mbledhje e votoi njëzëri edhe propozimin e kryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që nënkryetar i kësaj gjykate të jetë Ali Kutllovci, i cili edhe aktualisht është nënkryetar, mirëpo, mandati i tij aktual do të përfundojë më 16 nëntor 2010.

Kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj tha se ligji i vjetër për gjykatat kishte paraparë mandatin dy vjet + dy vjet për nënkryetar të gjykatave, kurse ligji i ri ka paraparë që mandati i nënkryetarit të jetë i lidhur me atë të kryetarit, dhe duke qenë se gjykatësi Kutllovci e ka tashmë fundin e mandatit të parë, nuk ka pengesë ligjore për zgjedhjen e tij si nënkryetar.

KGJK vendosi edhe për shpalljen e konkursit për një gjyqtar të ri në Divizionin Civil të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë, pasi që një gjyqtar në atë gjykatë është pensionuar, ashtu siç votoi edhe dërgimin e një njoftimi tek Presidenti, për lirimin nga detyra të gjykatësit të Gjykatës Themelore në Gjakove, dega në Malishevë, Haki Kryeziu i cili më 23 nëntor të këtij viti do të arrij moshën e pensionimit.

Gjithashtu, Këshilli votoi edhe komisionet vlerësuese për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve për gjyqtarë mbikëqyrës në disa degë të Gjykatave Themelore.

Kështu, në degën e Graçanicës, u votua komisionin me përbërje nga Kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyci, si dhe anëtarët e KGJK-së Makifete Saliuka dhe Nenad Llaziq.

Në degën e Vitisë, komisioni u zgjodh në përbërje nga Kryetari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Ramiz Azizi si dhe anëtarët e KGJK-së, Anita Prenaj-Krasniqi dhe Manushe Karaqi, kurse, për degën e Shtërpcës u zgjodh komisioni në përbërje nga kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni si dhe anëtarët e Këshillit, Muhamet Rexha dhe Nenad Llaizq.

Pas dorëheqjes së anëtarit të KGJK-së, Armend Berisha, Këshilli votoi që në kuadër të Komisionit Normativ, anëtar i së cilës kishte qenë Berisha, të zgjidhet Gjimshit Galushi, kurse kryetare e Komisionit në fjalë u zgjodh, Anita Prenaj-Krasniqi, ndërsa, anëtare rezervë, Manushe Karaqi.