Këshilltarja në Asamblenë Komunale të Vitisë dënohet me gjobë për deklarim të rremë të pasurisë

Vendim
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Janar 11, 2021

Viti – Këshilltarja në Asamblenë Komunale të Vitisë, Idajete Pira, të hënën, u dënua nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, me tre muaj burg efektiv dhe 200 euro gjobë për deklarim të rremë të pasurisë

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Drane Simani, me pëlqimin e të akuzuarës, dënimi me burg mund të zëvendësohet me gjobë, në lartësi prej 600 euro, të cilën obligohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të kundërtën do të mbetet në fuqi dënimi me burg, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo është ngarkuar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë 20 euro në emër të paushallit gjyqësor.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 5 janar 2021, e akuzuara e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 6 maj 2020, Idajete Pira akuzohet se nga 1 marsi e deri më 31 mars 2019, duke qenë në cilësinë e zyrtares së lartë publik, (asambliste në Kuvendin Komunal Viti), e pandehura edhe përkundër asaj që ka qenë e detyruar ta bëjë në tërësi deklarimin e pasurisë e të ardhurave dhuratave–dobisë tjetër materiale pse detyrimeve financiare, nuk ka paraqitur saktë të dhëna të kërkuara.

Sipas aktakuzës, e akuzuara në formularin e deklarimit të pasurisë të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK,  me 25 mars 2019, ka deklaruar të hyra vjetore në vlerë prej 8,508 euro, ndërsa sipas dëshmisë nga Ministria e Financave ka rezultuar se të hyra të përgjithshme kanë qenë në vlerë prej 11,956.98, euro, me ç’rast të hyra të padeklaruara janë prej 3,448.98 euro.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, e akuzuara Idajete Pira ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437, paragrafi 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi