Këshilltari në Asamblenë Komunale të Gjilanit pranon fajësinë për deklarim të rremë të pasurisë

125494667_403343327512540_5893242168216268968_n
Author

Raporton: Teuta GASHI    

Nëntor 18, 2020

Gjilan – I akuzuari për deklarim të rremë të pasurisë, Fitim Guda, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, u deklarua i pafajshëm.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Leonora Kadriu, i akuzuari Guda ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën penale të cilën aktakuza ia vë në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarit, gjykatësi Sabedin Mushica ka kërkuar nga palët që të njëjtit të deklarohen lidhur me vendimin për dënimin.

Prokurorja Leonora Kadriu ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë aktit akuzues, duke kërkuar nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit të merr parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese, me qëllim që dënimi të jetë proporcional me shkallën e përgjegjësisë penale.

Mbrojtësi i të pandehurit, avokati Ardian Klaiqi ka kërkuar nga gjykata që ndaj klientit të tij të shqiptohet një dënim më i ulët, meqenëse i njëjti e ka pranuar fajësinë.

Në anën tjetër, i akuzuari Guda ka deklaruar se ndjen keqardhje për rastin i cili ka ndodhur dhe se i premton gjykatës se kjo gjë nuk do ndodhë më, duke shtuar se nga ana e tij është bërë një gabim i vogël teknik.

Shpallja e vendimit për këtë çështje do të bëhet më 20 nëntor 2020, me fillim nga ora 08:50.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 28 maj 2020, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Fitim Guda, me arsyetimin se i njëjti, më 29 mars 2019, në kohë të pacaktuar, në Gjilan, nuk i ka paraqitur të gjitha të dhënat e kërkuara në Deklaratë të Agjencionit kundër Korrupsionit (AAK), edhe pse sipas nenit 3, paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 pika 1.1.8 të Ligjit nr.04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave, ka qenë i detyruar t’i paraqes, sepse, në atë kohë ishte këshilltar i Asamblesë Komunale të Gjilanit, në atë mënyrë që në formularin e lartpërmendur për deklarimin e pasurisë i paraqet të dhënat e tjera, por jo edhe ato për pronësinë dhe afarizmin e “A.A Solid” SHPK, edhe pse ishte pronar i saj dhe më pas atë ashtu e dorëzon tek personat kompetent të AAK-së.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi