Këshilltari në Asamblenë Komunale të Gjilanit dënohet me gjobë dhe burg me kusht për deklarim të rremë të pasurisë

126748660_2880411102212906_8123100874527683080_n
Author

Raporton: Teuta GASHI    

Nëntor 20, 2020

Gjilan – Këshilltari në Asamblenë Komunale të Gjilanit, Fitim Guda, të premten, u dënua nga Gjykata Themelore në Gjilan me 500 euro gjobë dhe 180 ditë burgim me kusht, për deklarim të rremë të pasurisë

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësi Sabedin Mushica, sipas të cilit, dënimi me burgim ndaj Gudës nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti në periudhën prej një viti nuk do të kryejë vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në shqyrtimin fillestar të mbajtur me 18 nëntor, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 28 maj 2020, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Fitim Guda, me arsyetimin se i njëjti, më 29 mars 2019, në kohë të pacaktuar, në Gjilan, nuk i ka paraqitur të gjitha të dhënat e kërkuara në Deklaratë të Agjencionit kundër Korrupsionit (AAK), edhe pse sipas nenit 3, paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 pika 1.1.8 të Ligjit nr.04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik, dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave, ka qenë i detyruar t’i paraqes, sepse, në atë kohë ishte këshilltar i Asamblesë Komunale të Gjilanit, në atë mënyrë që në formularin e lartpërmendur për deklarimin e pasurisë i paraqet të dhënat e tjera, por jo edhe ato për pronësinë dhe afarizmin e “A.A Solid” SHPK, edhe pse ishte pronar i saj dhe më pas atë ashtu e dorëzon tek personat kompetent të AAK-së.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi