Këshilli Prokurorial i kërkon Avokatit të Popullit ta dërgojë në Kushtetuese Ligjin e ri për KPK-në

Raporton; “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë – Këshilli Prokurorial i Kosovës ka thënë se ka bërë kërkesë në Institucionin e Avokatit të Popullit për referimin e Ligjit të ndryshuar për KPK-në në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas një njoftimi për media gjithashtu, Këshilli Prokurorial, njofton se komentet e tij ndërlidhen me evidentimet konkrete të shkeljeve kushtetuese dhe ligjore që janë bërë me anë të këtij ligji, të miratuar më 23 qershor 2022, në Kuvendin e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës dëshmon se mbetet i përkushtuar që kontestimin e këtij ligji ta bëjë vetëm nëpërmjet rrugëve kushtetuese dhe ligjore dhe do të vazhdojë të angazhohet për një sistem prokurorial të pavarur, të paanshëm, transparent dhe çdo herë në zbatim të ligjit”, thuhet në reagimin e KPK-së.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se çfarëdo keqinterpretimi i ngritur në opinionin publik lidhur me moszbatimin e akteve ligjore është i paqëndrueshëm. / BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë