Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së aprovon raportet e komisioneve vlerësueses për publikim në Buletin
Raporton: Ermira HOXHA
Prishtinë – Këshilli i Fakultetit të Shkencave Matematikore Natyrore (FSHMN), në mbledhjen e mbajtur të martën, ka aprovuar të gjitha pikat e rendit të ditës, ndër to ka aprovuar edhe raportet e komisioneve vlerësuese për publikim në Buletin.
Kryesuesi i Këshillit, dekani i FSHMN-së, Idriz Vehapi ka prezantuar gjithsej pesë pikat e rendit të ditës, të cilat u aprovuan me të gjitha votat e anëtarëve të këtij këshilli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dekani Vehapi ka njoftuar se faza në të cilën gjenden është shqyrtimi i raporteve, nëse të njëjtat janë të shkruara konform rregullores për krijim, avancim të personelit akademik.
“Mua më lejoni vetëm të ju përkujtoj se fazën në të cilën jemi në shqyrtimin e konkursit, përkatësisht pikave që janë në konkurs/pozita, neni 14, procedura pas dorëzimit të raportit nga komisioni vlerësueses, do të thotë tani jemi në këtë fazë”, tha Vehapi.
Sipas tij, pika e parë e nenit 14 thotë se “Këshilli i Fakultetit pas dorëzimit të raportit nga komisioni vlerësueses është i obliguar në mbledhjen e radhës jo më shumë se 7 ditë të shqyrtojë raportin”, duke shtuar se janë në afatin optimal për fillimin e shqyrtimit të raporteve nëse të njëjtat janë shkruar konform rregullores.
Në këtë mbledhje, u bë edhe shqyrtimi i raporteve të komisioneve vlerësueses për publikim në Buletin, lidhur me konkursin për emërimin, riemërimin ose avancimin e personelit akademik në fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, konkretisht në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore dhe aprovimi i propozimeve të departamenteve lidhur me formimin e komisioneve vlerësuese për pozita e shpallura në konkursin për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime, të cilat u aprovuan me votat e të gjithë anëtarëve të këtij Këshilli.
Derisa diskutohej shqyrtimi i raporteve të komisioneve vlerësueses, një reagim pati profesoresha Arleta Rifati-Nixha, e cila tha se dëshiron të ndalet tek referati numër 27, pasi që sipas saj prej fillimit të komisionit që është përcaktuar, nuk është respektuar neni 12 përkatësisht paragrafi 8 i Rregullores nr.836 të 27 prillit 2022.
Sipas profesoreshës Rifati-Nixha në këtë rregullore potencohet shumë mirë që komisioni duhet të jetë i plotësuar nga dy anëtarë të fushës së ngushtë që për fat të keq ajo tha se nuk është bërë një zgjedhje adekuate.
“Sa i përket referatit numër 27, i kisha disa të themi vërejtje, nuk është e potencuar hiq pika 5 kriteret e Statutit të UP-së dhe kushtet e konkursit. Është tabela 5.1 për mësimdhënës që nuk figuron fare as për kandidatin që është propozuar, nuk e di a ju ka ra në sy d.m.th. nuk figuron, tek kandidatët e tjerë është kjo tabelë, këtu nuk figuron fare. E dyta është tek tabela përmbledhëse e kontributit të kandidatit, temat që janë potencuar janë të studimeve bachelor, kurse në tabelë duhet të potencohen të studimeve master dhe të doktoratës”, ka thanë tutje Rifati-Nixha.
Tutje, e njëjta ka theksuar se sa i përket fund-propozimit që e japin komisioni potencohet se kandidatja Miribane Dërmaku është rizgjedh asistente në vitin 2020, por sipas saj nuk potencohet në cilin drejtim as lëndët që i mban e i ligjëron dhe nuk potencohet në cilin drejtim i ka punimet shkencore, ndërsa në fund potencohet se kandidatja i ka punimet master dhe doktoratës në fushën e Kimisë së Mjedisit dhe Analitike.
“Si mundet anëtari i njëjtë i komisionit derisa sa e shkruan referatin për asistente e potencon që Miribane Dërmaku është asistente e Kimisë Organike, për shkak se ajo ka vendimet të vitit 2011-2016-2020 në fushën e organikës dhe biokimisë , profesori i njëjtë tash në këtë referatin tjetër e potencon që ajo nuk është e fushës?” pyeti ajo.
Sipas saj, atëherë duhet të merret vendim të anulohen të gjitha vendimet që i ka pasur deri më tani.
“Ose mos me marrë këta që osht e potencume për shkak se kandidatja temën e ka në fushën e organikës dhe biokimisë dhe të gjitha punimet shkencore i ka në këtë fushë” shtoi tutje Rifati-Nixha.
Lidhur me këtë, shefja e Departamentit të Fakultetit të Kimisë, Sevdije Govori iu drejtua profesoreshës Rifati-Nixha e cila tha se në këtë takim janë mbledhur për të analizuar vetëm anën e teknike.
“Në moment kur na e potencojmë mendimin e komisionit recensues ai kalon në çështje tjetër jo teknike më, na sot nuk e kemi drejtë me analizua mendimin e komisionit recensues vetëm anën teknike, daljen në Buletin”, tha Govori.
Lidhur me këtë, një sqarim e ka dhënë edhe anëtari i Këshillit të Fakultetit, prodekani Avni Berisha, i cili tha këto materiale i kalojnë pjesës administrative dhe të njëjtit për çfarëdo problemi të natyrës teknike i rikthejnë referatet.
“Vetëm për sqarim prej konkursit të kaluar këto materiale i kalojnë pjesës administrative dhe ata për çdo problem, po quaj të natyrës teknike i rikthejnë referatet kështu ka ndodh në konkursin e kaluar”, tha Berisha.
Në vijim këto janë pikat e rendit të ditës të cilat u aprovuan nga Këshilli i Fakultetit të FSHMN-së:
- Aprovimi i ekstraktit nga mbledhja e Këshillit të Fakultetit, të mbajtur më 26 maj 2022
- Shqyrtimi i raporteve të komisioneve vlerësueses për publikim në Buletin, lidhur me konkursin për emërimin, riemërimin ose avancimin e personelit akademik në Fakultetet e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, konkretisht në fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore, konkursi nr.967, datë 4 maj 2022
- Aprovimi i propozimeve të departamenteve lidhur me formimin e komisioneve vlerësuese për pozita e shpallura në konkursin për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime, konkursi 1/217 datë 1 qershor 2022
- Shqyrtimi i kërkesave të stafit akademik
- Të ndryshme.
Me aprovimin e këtyre pikave, ka përfunduar edhe kjo mbledhje. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Kjo mbledhje e Këshillit të Fakultetit të FSHMN-së është monitoruar nga “Betimi për Drejtësi”.