KESCO kërkon anulimin e vendimit të ZRrE me te cilin ishte konstatuar se KESCO kishte ngarkuar pa bazë konsumatorin

IMG_0273
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Janar 15, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku KESCO po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative anulimin e vendimit të ZRrE.

ZRrE me vendimin e datës 29 mars 2018 kishte konstatuar se konsumatori ishte ngarkuar pa bazë në rastin ku kishte pasur probleme njehsori elektrik, e që në këtë rast sipas ZRrE, konsumatori është i obliguar të paguaj vetëm energjinë elektrike të shpenzuar, raporton “Betimi për Drejtësi.

Por, vendimi i ZRrE, po kontestohet në konfliktin administrativ të iniciuar nga KESCO.

Sipas përfaqësuesit të autorizuar të paditëses, Agnes Furra vendimi i ZRrE është i pabazuar dhe jo i ligjshëm.

“Me datën 14 gusht 2018 është bërë ndërrimi i njësorit tek konsumatori, më pas i njëjti njësor është dërguar në qendrën e kalibrimit ku punëtorët e kësaj qendre kanë bërë kontrollin detal të njësorit elektrik duke konstatuar se sistemi është djegur dhe si pasojë e kësaj djegie njësori elektrik ka regjistruar energjinë e shfrytëzuar elektrike për 66% më pak”, tha Furra.

Ai tha se në bazë të këtyre të gjeturave e duke analizuar edhe rrjedhën e energjisë sektori për korrigjim në kuadër të Departamentit për Përkujdesje ndaj Konsumatorëve, ka ngarkuar konsumatorin me korrigjim plotësues.

“Andaj ne konsiderojmë se vendimi i ZRrE nuk ka paraqitur asnjë argument të vlefshëm të bazuar dhe të arsyeshëm, me të cilin ka obliguar KESCO të anuloj korrigjimin në vlerën prej 1,785.17 euro. Pasi që korrigjimi i faturës se korrigjimit të faturës së konsumatorit është bazuar në rregullat e energjisë”, tha Furra.

Përfaqësuesi i paditësit deklaroi se në pajtim me dispozitat e ligjit mbi konfliktin administrative, i propozoi gjykatës që pas administrimit të provave dhe dëgjimit të palëve të merr aktgjykim me të cilin aprovohet padia e paditësit në tërësi si e bazuar, ndërsa vendimi i Bordit të ZRrE të shfuqizohet si i pabazuar dhe i paligjshëm.

Por, vendimin e ZRrE e konsideroi të ligjshëm përfaqësuesi i saj Gani Buqaj i cili kundërshtoi në tërësi pretendimet e palës paditëse se vendimi i nxjerr nga Bordi i ZRrE është i pabazë dhe i kundërligjshëm.

‘Konsiderojmë se ne si palë paditur kemi ofruar prova të mjaftueshme edhe në përgjigje në padi, se vendimi i atakuar është në përputhje të plotë me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë”, tha Buqaj.

Sipas tij pretendimet e KESCO-së se korrigjimet e faturës së konsumatorit është në përputhje me rregullat nuk qëndron, pasi që bazuar në analizat e bëra, shkresat e lëndës, e posaçërisht shpenzimet e energjisë elektrike të konsumatorit shihet qartë se ka mospërputhje të shpenzimeve në mes të njësorit të vjetër kontestues dhe njehsorit të ri elektrik.

“ZRrE informon gjykatën se krahasimi i shpenzimeve është një element shumë i rëndësishëm në shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve pasi që paraqet indikacion të mirë të profilit të shpenzimit të energjisë elektrike të atij konsumatori dhe bazuar në rregullat dhe procedurat në fuqi theksohet qartë se procesverbali o kalibrimit nuk duhet të merret si provë e vetme meritore pa u shqyrtuar edhe shkresat e lëndës si dhe shpenzimi i energjisë elektrike të konsumatorit” tha ai.

Gjatë kësaj seance u bë administrimi i provave dhe më pas u dha edhe fjala përfundimtare e palëve.

Në fjalën e tij përfundimtare, përfaqësuesi i autorizuar i paditëses, Agnes Furra deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë së ushtruar pranë kësaj gjykate.

“Mbesim në tërësi pranë padisë dhe deklarimeve të dhëna në këtë proces gjyqësor, dhe pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të rastit është vërtetuar se vendimi i ZRrE-së është jo i ligjshëm dhe i njëjti duhet të shfuqizohet”, tha Furra

Ai i propozoi gjykatës që të merr aktgjykim me të cilin do ta aprovoj padinë në tërësi si e bazuar ndërsa vendimin e bordit të ZRrE ta shfuqizoj si të pabazuar dhe të paligjshëm.

Në fjalën e tij përfundimtare përfaqësuesi i palës së paditur deklaroi se nga provat e administruarara gjatë kësaj seance kemi arritur të dëshmojmë se padia e paditësit është e pabazuar dhe se vendimi i atakuar në këtë padi është vendimi i ligjshëm dhe i bazuar në prova.

Ai i propozoi gjykatës që padinë e paditësit ta refuzoj si të pabazuar duke lënë në fuqi vendimin e ZRrE-së.

Sipas padisë së ushtruar më 21 maj 2018 KESCO kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative të anuloj vendimin e ZRrE.

ZRrE me vendimin e datës 29 mars 2018 kishte konstatuar se konsumatori ishte ngarkuar pa bazë në rastin ku kishte pasur probleme njësori elektrik, e që në këtë rast sipas ZRrE, konsumatori është i obliguar të paguaj vetëm energjinë elektrike të shpenzuar. /BetimipërDrejtësi