Kërkon pagën e tretë jubilare, Komuna e Lipjanit thotë se kërkesa është e pabazuar

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Lipjan- Të premten, në departamentin e përgjithshëm civil, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, përmes padisë së ushtruar paditësi I.M po kërkon nga e paditura Komuna e Lipjanit përkatësisht Drejtorati për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, kompensimin e një page jubilare në shumën prej afro 800 euro.

I autorizuari i paditësit I.M, avokati Qëndrim Reçica, deklaroi se mbetët pjesërisht si në padi, pasi që, paditësit nga e paditura i janë paguar dy paga jubilare në procedurën administrative, kurse nga vërtetimet e përvojës së punës shihet se paditësi ka mbi 30 vite përvojë pune për çka i takon edhe një pagë jubilare në shumë prej 810.63 euro, aq sa ka qenë paga e të njëjtit në kohën kur e ka fituar këtë të drejtë.

Me këtë rast, Reçica bëri precizimin e lartësisë së padisë dhe kërkoi që të obligohet e paditura që në emër të një page për shpërblim jubilar, paditësit t’a paguaj shumën prej 810.63 euro, sa ka qenë paga me kamat ligjore prej 8%, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Andaj, gjykatës i propozoi  që pasi të bëjë administrimin e provave kërkesëpadinë e paditësit për pagesën e një page jubilare në shumën e lartëcekur ta aprovoj në tërësi si të bazuar.

Në anën tjetër, i autorizuari i të paditurës, avokati Behar Krasniqi deklaroi se mbetët në tërësi si në përgjigje në padi.

Krasniqi, gjatë deklarimit të tij bëri një përmirësim të vetëm, sa i përket përvojës së punës duke cekur se në përgjigje në padi në vend të 28 viteve e tetë muaj paditësi i ka 36 vite përvojë pune bazuar në listen e pagave, për pjesën tjetër, i njëjti ka thënë se mbetët e pa ndryshuar.

Më pas, përmes aktvendimit nga seanca përgatitore është kaluar në shqyrtimin kryesor ku janë administruar provat, ndërsa pas administrimit të të njëjtave është thënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

I autorizuari i paditësit, Reçica në fjalën përfundimtare ka thënë se mbetën edhe më tutje pranë padisë, duke bërë precizmin e së njëjtës meqenëse paditësit i janë paguar dy paga për vitet jubilare nga tre sa i takojnë.

Tutje, Reçica gjykatës i propozojë që të njëjtën ta aprovojë në tërësi si të bazuar dhe të obligojë të paditurën që t’i paguaj palës paditëse shpenzimet e procedurës sipas tarifës së Odes së Avokatëve të Kosovës (TOAK) dhe atë për padi shumën prej 104 euro, për një seancë të mbajtur gjyqësore shumën prej 135.20 euro dhe taksen gjyqësore sa do ta caktojë gjykata.

Kurse, i autorizuari i të paditurës, avokati Krasniqi në fjalën përfundimtare tha se mbetët në tërësi pranë gjitha kundërshtimeve si në përgjigje në padi dhe kundërshtimeve në këtë seancë, me propozimin që kërkesëpadia të refuzohet si e pabazuar nga gjykata.

Në fund Krasniqi ka thënë se, shpenzimet e procedurës nuk i kërkon.

Pas deklarimeve të palëve në procedurë, gjykata obligoi palën e paditur që kësaj gjykate brenda afatit prej tre ditësh nga dita e sotshme t’i sjell provat se paditësi me rastin e pensionimit i ka mbushur 36 vjet përvojë pune, në të kundërtën po qe se gjykatës nuk do të ia sjellë brenda këtij afati, e njëjta do të procedojë në këtë çështje kontestimore.

Ndërsa, i autorizuari i paditësit, Reçica kërkoi që vërtetimin që do ta sjellë pala e paditur t’ia dorëzoj një kopje.

Sipas padisë së ushtruar më 30 dhjetor 2019, paditësi I.M po kërkon nga Komuna e Lipjanit përkatësisht Drejtorati për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale kompensimin e pagës jubilare vlerë 800 euro.

Sipas padisë, paditësi në bazë të kontratës është në punë dhe detyra të punës tek e paditura si shef i njësisë së pulmologjisë në sektorin konsultativ në QKMF në Lipjan.

Tutje në padi thuhet se, nga vërtetimi i datës 28 tetor 2019 i lëshuar nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan, shihet se paditësi tek e paditura ka filluar marrëdhënien e punës më 23 maj 1981 deri më 10 tetor 1981 dhe nga data 13 shtator 1982 deri më 12 shkurt 1996.

Ndërsa, sipas librit Amzës deri më 8 maj 2004 në vendin e punës Drejtor i Drejtoratit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në kohëzgjatje 2 vite e 11 muaj dhe 29 ditë.

Në padi thuhet se, nga çertifikata e marrëdhënies së Punës e lëshuar më 31 tetor 2019 nga Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës vërtetohet se paditësi ka qenë i punësuar në Qendrën Korrektuese në Lipjan në pozitën mjek nga 6 dhjetor 2004 deri më 31 dhjetor 2005.

Në padi thuhet se, paditësi tek e paditura është në marrëdhënie punë nga viti 1981 pra, mbi 30 vite për çka i takon e drejta në shpërblim jubilar në vlerë të tre pagave mujore nga punëdhënësi i fundit të cilin obligim nuk e ka përmbushur e paditura.

Andaj, përmes padisë paditësi po kërkon që përmes aktgjykimit të aprovohet kërkesëpadia e tij, dhe të detyrohet e lartcekura që të njëjtit t’ia paguaj shpërblimin jubilar me kamat ligjore prej 8% nga data e ushtrimit të padisë e gjerë në pagesën defifinitive./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë