Kërkon mbrojtja, shtyhet fillimi i rigjykimit ku gjyqtari dhe polici akuzohen për korrupsion

Author

Raporton: Anesa HOXHA

Shtator 13, 2021

PrishtinëMe kërkesën e mbrojtjes, është shtyrë rigjykimi ndaj gjykatësit të suspenduar të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe zyrtarit policor Blerim Gashi. Të njëjtit po akuzohen për korrupsion.

Kjo pasi që në fillim të seancës së paraparë të mbahej të hënën, mbrojtësi i të akuzuarit Ismajli, avokati Naim Rudari ka njoftuar gjykatën se është i papërgatitur për këtë lëndë, me arsyetimin se pasi që ishte caktuar si avokat sipas detyrës zyrtare, me palën nuk është takuar asnjëherë deri në seancën e sotme dhe se nuk ka arritur t’i siguroj nga i njëjti shkresat e lëndës.

“Unë që nga dita që jam caktuar menjëherë e kam kontaktuar në telefon për ta njoftuar që jam caktuar sipas detyrës zyrtare dhe më pas, kam kontaktuar edhe kolegët që e kanë përfaqësuar më herët, respektivisht zyrën e kolegut Tahir Rrecaj, për të marrë shkresat e lëndës. Dhe më pas e kam kuptuar se Rafet Ismajli i ka pranuar shkresat nga kolegu Tahir Rrecaj, unë për një kohë kam provuar ta kontaktoj përmes telefonit Rafet Ismajlin, por nuk kam arrit që fare mu qas në telefon, tani e kam kontaktuar edhe para seancës për 2-3 herë por s’kemi arritur të takohemi”, tha avokati Rudari.

Avokati Rudari ka shtuar se me shkresat e lëndës së të mbrojturit të tij është njoftuar sot për herë të parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, i akuzuari Ismajli ka kërkuar falje nga gjykata dhe ka thënë se për arsye personale nuk kishte mundur ta pajisë mbrojtësin e tij me shkresa të lëndës.

“Unë kërkoj falje shumë. Faji është i imi, nuk është i mbrojtësit pasi që për arsye të mija personale nuk kam mundur deri më sot ta pajis me shkresa të lëndës”, tha i akuzuari Ismajli.

Propozimin e avokatit Rudarit që kjo seancë të shtyhet nuk e ka kundërshtuar as mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Ramë Gashi.

Andaj trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, mori aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin e avokatit Rudari dhe seancën e së hënës e ka shtyrë për 24 shtator 2021, në orën 9:30.

Ndryshe, në këtë seancë kanë qenë të pranishëm edhe dëshmitarët, F.Z dhe Skender Tahiri, ndërsa ka munguar dëshmitari Abit Aziraj, për të cilin gjykatësja Musliu–Selimaj tha se ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e ka arsyetuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 mars 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Rafet Ismaili në cilësinë e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe i akuzuari Blerim Gashi në cilësinë e zyrtarit policor kanë kryer veprën penale “ushtrim ndikimi”.

Për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marr aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2,000 euro gjobë, për secilin veç e veç.

Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit.

Por, e pakënaqur me dënim e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të ashpra.

Por Gjykata e Apelit të Kosovës me 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe zyrtarit policor Blerim Gashi.

Sipas aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me Aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për media, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismajli. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.