Kërkon kompensim dëmi për orarin shtesë të punës dhe kontributeve tatimore, u largua nga puna pa paralajmërim

Raporton: Floridin Osmanaj

Prizren- Sahit Tahiri, ish-shef i kuzhinës po kërkon nga Restaurant “Burimi i Gurrës” 1 mijë e 110 euro kompensim dëmi në emër të orarit shtesë të punës  dhe 198 euro shtesë në emër të kontributeve tatimore, pasi që ishte larguar pa paralajmërim nga puna. 

Në seancën e sotme, i autorizuari i palës paditëse Sahit Tahiri, avokati Blerim Hertica theksoi se qëndron pranë kërkesëpadisë dhe kundërpërgjigjes në padi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai theksoi se pas precizimit të padisë, në këtë rast kemi kontest pune, duke kërkuar pagat dhe pagesat për orët shtesë përtej orarit të rregullt të punës si dhe për mospagesat e tatimeve dhe trustit pensional.

Ndërsa i autorizuari i të paditurit- kundërpaditësit “Burimi i Gurrës” SHPK, avokati Nexhat Elshani, deklaroi se mbetet pranë përgjigjes në padi dhe kundërpadisë si dhe propozoi që të hudhet poshtë si e pabazuar padia e paditësit.

Kjo ngase, sipas tij, si e tillë është me të meta formale pasi që njëherë ka qenë padi për kompensim dëmi, ndërsa tani është kthyer në kontest pune, e që ky kthim i padisë është bërë pa u mbështetur në prova.

Avokati Elshani shtoi se është fakt që këtu paditësi, ka punuar te i padituri pa një kontratë pune dhe se i njëjti është paguar me mëditje në bazë të punës që ka bërë dhe si i tillë edhe i padituri pa paralajmërim ka lëshuar vendin e punës, duke tërhequr edhe punëtorë tjerë, duke i shkaktuar këtu “Burimi i Gurrës “ dëme.

Për këtë, thotë se ishte dashur që e paditura ishte dashur të angazhojë staf atz për aty, andaj Elshani i propozoi gjykatës që kjo padi të hudhet poshtë si e pabazuar.

Pas kësaj, paditësi- i kundërpadituri, i ka paraqitur gjykatës tri prova të reja dhe atë dy fatura për pagesat e kryera dhe një dokument të marrë nga faqja e Trustit pensional të Kosovës, me të cilat prova dëshmohet se paditësi Sahit Tahiri ka qënë në marrëdhënie pune para muajit shtator të vitit 2019 dhe ku dëshmohet se ka qënë i punësuar te “Burimi i Gurrës” me orar të plotë.

Pas kësaj, në këtë seancë u administruan të gjitha provat e propozuara nga palët.

Për seancën erradhës do të dëgjohen dëshmitarët Jetmir Bellaqa, Xheladin Skënderi, Valon Emrullahu dhe Kreshnik Memaj

Pas përfundimit të orarit të punës, seanca e sotme është ndërprerë dhe e njëjta është caktuar më 3 nëntor 2021.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 19 shkurt 2020, paditësi Sahit Tahiri nga Prizreni ka paditur restaurant “Burimi Gurrës” SHPK, për kompensim dëmi në emër të ndërprerjes së paligjshme të kontratës së punës.

Në padi thuhet se, paditësi Tahiri është sistemuar në vendin e punës në këtë restaurant si shef kuzhine dhe aty punoi që nga data 17 korrik 2019 dhe se të njëjtit asnjëherë nuk i është paguar puna jashtë orarit edhe pse për këtë ishin marrë vesh paraprakisht, mirëpo i padituri nuk kishte paguar as pagën bazë e as shtesë për disa muaj me radhë.

Në padi thuhet se borxhi total për orët shtesë ka shkuar në 1 mijë e 110 euro borxh.

Paditësi në padi ka pretenduar se atij as nuk ishin paguar kontributet e as tatimet që kanë qënë objekt i marrëveshjes mes paditësit dhe të paditurës dhe se gojarisht pas disa tentimesh për t’u marrë vesh, nuk kishin arritur një gjë të tillë.

Tutje në padi theksohet se paditësi e kishte njoftuar disa herë të paditurin për mospagesën e pagës bazë dhe orët shtesë dhe me mirësjellje kishte njoftuar të paditurin që nuk do të largohet nga puna pa bërë zgjidhje për ndonjë punëtor tjetër.

Mirëpo, në padi thuhet se punëdhënësi  nga frustimi e largon Sahit Tahirin nga puna menjëherë  duke mos i lëshuar asnjë vendim për largimin nga puna ku edhe shkel nenin 68, paragraf 3 dhe nenin 72 të Ligjit të Punës.

Paditësi, përmes padisë ka kërkuar që të aprovohet si e bazuar padia dhe të obligohet e paditura Restaurant “Burimi i Gurrës” me pronar Ridvan Islamaj që në emër të kompensimit të dëmit të pësuar t’ia kompensojë dëmin në vlerë prej 1 mijë e 110 euro dhe 198 euro e 20 centë në emër të obligimeve për kontribute dhe tatime gjerë në ndërprerjen e paligjshme të kontratës si dhe kamatën prej 8%  aq sa paguajnë bankat afariste për deponimet e qytetarëve. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë