Kërkohet që gjykata e Istogut ta shpallë vetën jo kompetente në kontestin ku AKP-ja po kërkon përmbushjen e obligimeve të qerasë

Istog 1 (2)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Tetor 15, 2020

Istog  – Në seancën e së enjtes, nga Gjykata Themelore në Pejë, dega Istog, është kërkuar që të  shpallë vetën jo kompetente për trajtimin e lëndës, ku Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), po kërkon përmbushjen e obligimeve të qerasë nga ana e të paditurit, Mentor Bujupi.

Propozim që Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog të shpallë vetën jo kompetente për të trajtuar çështjen në fjalë, e ka bërë i autorizuari i paditëses AKP-së, Agron Kajtazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kërkoj që kjo çështje të dërgohet në dhomën e posaçme në Gjykatën Supreme të Kosovës, për faktin se pas hyrjes në fuqi të ligjit për dhomën e posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, parashihet se asnjë gjykatë në Republikën e Kosovës përveç dhomës së posaçme nuk do të këtë kompetenca apo autoritet, mbi lëndët që kanë të bëjnë me AKP-në”, ka thënë Kajtazi.

Tutje Kajtazi tha se mbi bazën e dispozitave të ligjit të lartcekur, gjykatat e rregullta të Republikës së Kosovës kanë sjellë disa vendime me anë të të cilave e kanë shpallur vetën jo kompetente për trajtimin e këtyre lendeve.

Nga ana tjetër, i autorizuari i paditurit, avokati Gani Kelmendi, në lidhje me propozimin e palës paditëse, ka thënë se i lënë në vlerësim gjykatës që të veproi sipas detyrës zyrtare lidhur me faktin se a është apo jo në kompetencë të saj lëndore çështja në fjalë.

Fillimisht, Gjykatësi Shemsedin Haxhijaj ka thënë, se kjo lëndë ka qenë e caktuar të gjyqtari paraprak Daut Demiraj, por pas pensionimit të tij, i është caktuar atij në vendosje, prandaj në kuptim të kësaj rrethane sipas tij procedura në çështjen juridiko – kontestimore fillon rishtazi nga fillimi.

Ndërsa, sa i përket propozimit të palës paditëse, Haxhijaj ka thënë se gjykata do të vendosë me vendim të veçantë jashtë seance.

Ndryshe, për këtë rast gjykata e apelit më 21 shtator 2015 ka nxjerrë aktvendim me të cilin rastin e ka kthyer në rivendosje, pasi që fillimisht Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, me aktgjykimin me numër C.nr.221/11 të 17 shtatorit 2013, e kishte aprovuar padinë e paditëses AKP, duke e obliguar të paditurin që të paguajë shumën prej 11.490 euro në emër të qirasë.

Ndryshe, sipas padisë të 17 tetorit 2011, paditësja Agjencia Kosovare e Privatizimit ka kërkuar nga gjykata që të detyrohet i padituri, Mentor Bujupi, që të paguaj shumën e përgjithshme prej 11.490 euro me kamatë ligjore për shkak të obligimeve mbi qiranë.

Sipas padisë N.SH. “Koreniku” në Istog është ndërmarrje e cila bie nën administrimin e AKP-së, andaj në bazë të një kontrate të nënshkruar nga N.SH “Koreniku” me të paditurin Mentor Bujupi  me 1 nëntor 2002 për shfrytëzimin e lokalit pronë e N.SH “Koreniku” nga ana e të paditurit si shitore ushqimoret, ky i fundit nuk i ka përmbushur obligimet e qirasë.

Tutje sipas padisë AKP i është drejtuar me shkresë të paditurit, për përmbushjen e obligimeve të qirasë, por pa sukses. /BetimipërDrejtësi