Kërkohet paraburgim për të dyshuarin se tentoi ta vriste vëllanë shkaku i problemeve lidhur me ndarjen e pasurisë

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Gjakovë- Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit V.V., nën dyshimin se kanosi familjen dhe tentoi ta vriste vëllanë, për shkak të problemeve në lidhje me ndarjen e pasurisë.

Përmes një komunikate për medie kjo prokurori njofton se V.V dyshohet se ka kryer veprat penale “Kanosje”, “Vrasje e rëndë në tentativë”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria njofton se më 21 qershor 2022, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, i pandehuri, seriozisht i kanos se do t’i privojë nga jeta anëtarët e familjes, përkatësisht nënën, babanë si dhe motrën e tij.

Tutje thuhet se kanosja ka ndodhur përmes telefonit, duke iu thënë se do i vrasë të gjithë, përfshirë edhe fëmijët e motrës së tij.

Gjithashtu, thuhet se më 21 qershor 2022, në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta vëllanë e tij, të dëmtuarin B.V., për shkak të problemeve të mëparshme, në lidhje me ndarjen e pasurisë.

“I pandehuri V.V., paraprakisht kishte kërkuar të takohet me të dëmtuarin në zyrën e tij, e më pas duke e kanosur me fjalë, me armë zjarri gjuan disa herë në drejtim të këmbëve të dëmtuarit e pastaj i drejton armën në fytyrë, ku deri sa i pandehuri tenton ta ndërroj karikatorin, i dëmtuari arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe njofton policinë”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, sipas prokurorisë, i dyshuari nga data e pavërtetuar deri më 22 qershor 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.

“Prokurori i rastit ndaj të pandehurit V.V., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh. I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 21 qershor 2022”, thuhet në fund të komunikatës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë