Ferizaj- Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj të pandehurit R.M.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie, ku thuhet se i dyshuari R.M gjendet në masën e ndalimit prej 48 orësh, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas kërkesës së prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G. dhe A.X., kanë ndihmuar të pandehurin A. Ç., në kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit” për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore në Parkun Kombëtar “Sharri” në vikend-zonën e Brezovicës, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Tutje thuhet se ndaj të njëjtit, ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2016 deri në vitin 2019, në bashkëkryerje me të pandehurit Z.G., dhe A.X., kanë pranuar para me qëllim të ushtrimit të ndikimit të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, me këtë do të kryenin në bashkëkryerje veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.