Prishtinë- Në kuadër të projektit “Evropa Juglindore – Së Bashku Kundër Korrupsionit”, Njësia e Shoqërisë Civile e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Droga dhe Krim (UNODC), me përkrahjen e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim, të premten është mbajtur konferencë për media ku është publikuar raporti “Nevoja për institucionalizimin e vlerësimit anti-korrupsion në Kosovë (Neni 5.3. i UNCAC)”.
Në këtë konferencë, u kërkua institucionalizimi adekuat për vlerësimin e legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Neni 5.3. i Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsion (UNCAC) ka përcaktuar obligimin e shteteve palë për të kryer vlerësimin periodik të përshtatshmërisë së legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion. Ndonëse nuk është shtet anëtare e UNCAC, në përpjekjet e saj anti-korrupsion, Kosova ka treguar vazhdimisht përpjekje për zbatimin e standardeve të kësaj Konvente.
Gzim Shala, autor i këtij raporti, gjatë konferencës për media, ka thënë se në Kosovë mungon institucionalizimi adekuat i këtij lloj vlerësimi.
“Kosova deri më tani ka treguar përpjekje për zbatimin e UNCAC. Po ashtu, institucionet kanë treguar përpjekje për ndërtimin e procedurave për vlerësimin e mëpastajmë të legjislacionit, siç njihet ndryshe vlerësimi ex-post. Por, në kuptim të fushës së korrupsionit dhe kërkesave të UNCAC, ky raport ka gjetur se korniza aktuale për vlerësimin e legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion, nuk është adekuate. Kjo pasi dokumentet aktuale që e trajtojnë këtë çështje nuk ndërtojnë institucione dhe procedura adekuate për të bërë vlerësimin periodik të përshtatshmërisë së legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion. Përkatësisht, këto dokumente nuk e trajtojnë korrupsionin në mënyrë të veçantë dhe lënë jashtë vlerësimit masat administrative anti-korrupsion”, ka thënë Shala.
Tutje, Shala ka thënë se deri më tani, në Kosovë janë ndryshuar vazhdimisht ligjet, por se ndryshimi i këtyre ligjeve është bërë pa një vlerësim profesional të përshtatshmërisë së ligjeve.
Ai ka shtuar adresimi i standardit të UNCAC për vlerësim periodik të përshtatshmërisë së legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion duhet të bëhet me ligj.
“Në mënyrë që të kemi vlerësim adekuat dhe periodik të legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion, Ministria e Drejtësisë duhet që këtë çështje ta adresojë me ligj. Kështu, kjo Ministri duhet të themelojë grupin punues për hartimin koncept-dokumentit mbi modalitetet e institucionalizimit të vlerësimit periodik të përshtatshmërisë së legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion. Në këtë raport, janë të përfshira modele të ndryshme se si në Kosovë mund të institucionalizohet vlerësimi periodik i legjislacionit dhe masave administrative anti-korrupsion”, ka përfunduar Shala.
Raportin e plotë mund ta gjeni KËTU /BetimipërDrejtësi