Kërkohet inicimi i masës disiplinore ndaj trupit gjykues pas hulumtimit të “Betimi për Drejtësi” për gjuhën seksiste të përdorur në vendim gjyqësor

Raporton: Mirvet Thaqi

Prishtinë – Pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi” në lidhje me gjuhën seksiste në vendimet e Gjykatës Themelore të Gjilanit, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Enver Peci ka parashtruar kërkesë për inicim të procedurës disiplinore ndaj trupit gjykues, si pasojë e përdorimit të gjuhës seksiste në një vendim gjyqësor.

Sipas hulumtimit, ky aktgjykim lirues i hartuar nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan Aziz Shaqiri, në cilësi të kryetarit të trupit gjykues ndaj të akuzuarve për dhunim, ishte shkruar duke përdorur një gjuhë paragjykuese, seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën, e cila në vitin 2012 kishte raportuar se kishte qenë viktimë e një dhunimi.

Burime të “Betimi për Drejtësi” kanë konfirmuar se kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci pas gjetjeve në hulumtimin e “Betimit për Drejtësi” me temën “Seksizmi në vendimin e Gjykatës së Gjilanit”, sipas detyrës zyrtare ka parashtruar kërkesë për inicimin e hetimeve disiplinore në adresë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës kundër Aziz Shaqirit, si kryetar i trupit gjykues që ka hartuar këtë vendim, dhe dy anëtarëve të tjerë të trupit gjykues, gjykatësit Naser Maliqi dhe Ramiz Azizit, i cili aktualisht ushtron edhe pozitën e kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjilan.

Sipas burimeve të “Betimi për Drejtësi” rezulton se kryetari i Supremes Peci, pas shikimit të emisionit dhe grumbullimit të provave dhe fakteve shtesë, pa paragjykuar mënyrën e vendosjes së këtij rasti, kishte konstatuar se në përmbajtjen e këtij vendimi gjuha me të cilën ishte arsyetuar aktgjykimi, konsiderohej se ishte gjuhë paragjykuese, seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën.

Referuar burimeve të “Betimi për Drejtësi”, rezulton se pjesa arsyetuese e këtij aktgjykimi, konkretisht në faqen e 23, pasuesi i pestë sipas kryetarit të Supremes përmban gjuhë paragjykuese për të dëmtuarën, pasi janë përdorur fjalët “sepse e dëmtuara si femër e moshës 19 vjeçe në kohën kur ka ndodhur ngjarja lëndore me dëshirën e saj ka pranuar fillimisht që ditën kritike  të udhëtojë me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, edhe pse e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore”.

Po ashtu, si paragjykuese janë vlerësuar nga kryetari i Supremes edhe arsyetimet e përdorura në këtë aktgjykim ndaj të dëmtuarës se: “Duke pasur parasysh këtë sjellje të të dëmtuarës që me lehtësi ka pranuar të udhëtojë me taksi me të akuzuarin e parë për në Gjilan, jep me kuptu logjikisht se e njëjta vërtetë ka pasur konflikt me familjen e saj për shkak të bredhjes së saj dhe shoqërimit me meshkuj”.

Nga burimet e “Betimi për Drejtësi”, rezulton se edhe përfundimet e përdorura në përfundim të arsyetimit të aktgjykimit në faqen 24, se: “Vërtetë e dëmtuara me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral, ka shfrytëzuar rastin që të kalojë një kohë duke shuar edhe epshin seksual me të akuzuarit në fjalë”, sipas kryetarit Peci janë përfundime paragjykuese, seksiste dhe ofenduese për të dëmtuarën.

Në raport me veprimet e këtilla të konstatuara në arsyetimin e aktgjykimin PKR.nr.200/2014 të datës 24 mars dhe 28 korrik 2017, nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Aziz Shaqiri-kryetar, Naser Maliqi dhe Ramiz Azizi-anëtarë, sipas këtyre burimeve, rezulton se Peci ka vlerësuar në këtë rast ka bazë për inicimin e një hetimi disiplinor ndaj të njëjtëve.

Veprimet e ndërmarra gjatë trajtimit të këtij rasti, sipas burimeve të “Betimit për Drejtësi”, janë vlerësuar nga Peci si në kundërshtim me dispozitat ligjore të përcaktuara në nenin 5 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, pasi gjyqtarët në fjalë kanë kryer detyra zyrtare duke mos respektuar parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë gjyqësore, duke vepruar me përfundime paragjykuese, seksiste dhe ofenduese në bazë të gjinisë.

Kompetenca e kryetarit të Gjykatës Supreme për të kërkuar inicimin e procedurës disiplinore në këtë rast rrjedh nga fakti se në rastin konkret subjekt i hetimit është edhe kryetari i Gjykatës Themelore të Gjilanit Ramiz Azizi, duke qenë anëtar i trupit gjykues në këtë rast. Bazuar në nenin 6 pika 1 të Rregullores për procedurën disiplinore për gjyqtarët, në çdo rast kur ekziston konflikt interesi tek Autoriteti Kompetent, njoftohet Autoriteti Kompetent i instancës më të lartë gjyqësore, që në këtë rast është Gjykata Supreme. Meqë gjykatësi Azizi është autoritet kompetent për pretendimet për shkelje disiplinore të gjyqtarëve të gjykatës ku ai shërben, kjo kompetencë është bartur tek autoriteti më i lartë gjyqësor, respektivisht te kryetari i Supremes./BetimipërDrejtësi 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë