Katër zyrtarët e Ranillugut lirohen nga akuzat për korrupsion

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Goran Jevtiç, Ivan Gjorgjeviç, Boki Gjorgjeviç dhe Srgjan Dimitrijeviq, për akuzat se në tenderin për rindërtimin dhe përmirësimin e ndriçimit rrugor në Komunën Ranillugut, më 2018, nuk iu përmbajtën paramasës dhe parallogarisë së këtij tenderi, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë prej 8 mijë  e 307 euro.

Shpalljen e  këtij aktgjykimi, e bëri kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Naser Maliqi, të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë anekse në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së ngritur më 28 tetor 2021, nga Prokuroria Themelore e Gjilanit që nga muaji janar i vitit 2018, në Ranillug, të pandehurit e lartshënuar, si persona zyrtarë në Komunën e Ranillugut, me dashje kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në tenderin me titull “Rindërtimi dhe përmirësimi i ndriçimit rrugor në komunën Ranillukut për vitin 2018”, të njëjtit nuk i kanë përmbushur detyrimet që dalin nga vendimi, duke mos iu përmbajtur përmasës dhe parallogarisë së këtij tenderi.

Me mosveprimet e tyre, sipas aktakuzës ata kanë dëmtuar buxhetin e komunës në shumë prej 8 mijë e 307 euro, në favor të një operatori ekonomik në Prishtinë, duke i pranuar gjashtë pozicione të pakryera si pozicione të kryera, të cilat vizualisht shihen në disa fshatra të Komunës së Ranillugut, ku në secilin fshat numrat e pozicioneve ndryshojnë por përshkrimi i punëve është i njëjtë, e pas pranimit teknik komuna e Ranilluhut i paguan si pozicione të kryera.

Me këto veprime, të njëjtit akuzoheshin se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 dhe 2.2 lidhur me paragrafin 1 të nenit 31 të Kodit Penal, e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë