Katër të arrestuar, njëri noter në aksionin e Policisë në Podujevë

Author

Raporton “Betimi për Drejtësi”

Shtator 14, 2021

Prishtinë – Policia e Kosovës (PK) përmes një komunikate për media ka njoftuar se gjatë një operacioni policorë janë arrestuar 4 persona nën dyshimet për kryerjen e veprave penale, “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe në bashkëkryerje veprën penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Ky operacion i re realizuar në Podujevë, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë e shtetit, ka rezultuar me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar

“Personat e dyshuar janë arrestuar lidhur me dyshimet se të njëjtit duke vepruar në bashkëkryerje kanë falsifikuar dokumente zyrtare dhe përmes këtyre dokumenteve të falsifikuara në bashkëkryerje me të dyshuarin person zyrtar (noter), dyshohet se kanë tjetërsuar një parcelë”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se ndaj personave të dyshuar nga prokurori i PTH- Prishtinë është lëshuar aktvendim për ndalim prej (48) orësh lidhur me dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe në bashkëkryerje veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”./BetimipërDrejtësi