Katër të akuzuarit për trafikim me njerëz nuk e pranojnë fajësinë

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të pandehurit Ilaz Ramadani, Hysen Kamberi, Safet Rrustemi dhe Rrahim Musliu të akuzuar për veprën penale “trafikimi me njerëz” u deklaruan të pafajshëm për veprën penale e cila u ngarkohet me akuzë.

Seanca  e së hënës, e mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, filloi rishtas, pasi që  lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme. Kjo çështje penale kishte përfunduar me aktgjykim në ish-Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, ku të pandehurit ishin shpallur fajtor dhe u ishte shqiptuar sanksioni penal me burgim efektiv në kohëzgjatje prej tri vitesh.

Katër të pandehurit për trafikim me njerëz pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores së çështjes Florije Salihu –Shamolli, deklaruan se nuk janë fajtor dhe nuk e pranuan fajësinë për këtë vepër penale.

Kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, konstatoi se shqyrtimi gjyqësor do të vazhdoj me prezentimin e provave, mirëpo mbrojtësit e të akuzuarve, respektivisht avokatët Rifat Abdullahu, Agim Demiri, Skender Jetishi dhe Zejnepe Zenuni kërkuan nga trupi gjykues që seanca të ndërpritet dhe të vazhdoj për ndonjë datë tjetër. Ata deklaruan se detyrën e kanë pranuar sot dhe atë janë caktuar sipas detyrës zyrtare e me këtë rast nuk kanë në disponim materialet e mjaftueshme  për përfaqësimin e lëndës. Kërkesën e tillë të mbrojtësve gjyqtari Idrizi e aprovoi kurse seanca e radhës u caktua për 19 tetor 2016 në ora 09:00.

Në këtë çështje penale, poashtu është i akuzuar edhe Besim Ramadani i cili mungoi në seancë. Lidhur me mungesën e tij kryetari i trupit gjykues Idrizi, konstatoi se sipas verifikimit policor i njëjti gjendet jashtë shtetit, dhe ndaj tij është lëshuar fletë rreshtim qendror. Procedura penale ndaj të akuzuarit Ramadani me aktvendim  u veçua, dhe e njëjta do të zhvillohet ndaras.

Sipas aktakuzës të pandehurit Ilaz Ramadani, Hysen Kamberi, Safet Rrustemi Rrahim Musliu dhe Besim Ramadani, akuzohen për veprën penale “trafikimi me njerëz”, sepse nga fillimi i vitit 2002 deri në tetor të vitit 2002, në bashkëveprim kanë transportuar dhe strehuar disa shtetase të huaja në hotelin “Amazona”, në Ferizaj, me qëllim që të kryejnë marrëdhënie seksuale me klientë. Kjo veprimtari e të pandehurve është zbuluar gjatë një kontrolli të policisë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë