KATËR TË AKUZUARIT DEKLAROJNË SE SI THYEN SHTËPINË DHE KRYEN VJEDHJEN

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të hënën, është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj katër të akuzuarve Ylber Hoxha, Naser Mema, Sadri Sadiku dhe Valmir Demiri, të cilët akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë në vazhdim dhe në tentativë”.

Ky proces gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, sipas së cilës, Ylber Hoxha, Naser Mema Sadri Sadiku dhe Valmir Demiri akuzohen se më 25 korrik 2015, në lagjen “Dushkaja” në Kaçanik me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete të pasurisë së luajtshme të tjetrit në atë mënyrë që paraprakisht kanë përgatitur planin duke vepruar si anëtar të grupit ku i akuzuari Naser Mema me veturën e tij, kishte marrë të akuzuarit e tjerë Ylber Hoxha, Valmir Demiri dhe Sadri Sadiku dhe së bashku kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarës Xhevahire Mema, ku i akuzuari Valmir ka qëndruar jashtë shtëpisë duke bërë roje së bashku me të akuzuarin Naser Mema , kurse të akuzuarit Ylber Hoxha dhe Sadri Sadiku me përdorimin e forcës kanë hapur derën e shtëpisë dhe kanë hyrë brenda dhe nga aty kanë marr një komplet ari në vlerë 10.000 euro dhe para të gatshme rreth 2000 euro , me të cilën në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor para trupit gjykues janë paraqitur katër të akuzuarit, të cilët në vazhdim u morrën në pyetje nga palët në procedurë dhe u deklaruan lidhur me to. Në seancë ka munguar e dëmtuara Xhevahire Muharremi – Mema, për të cilën gjykatësja Hysnije Gashi konstatoi që sipas konfirmimit të policisë gjendet në Finlandë për punë të përkohshme  dhe  me pajtimin e palëve, gjykatësja morri aktvendim që konform nenit 338 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, pasi që e dëmtuara nuk është e pranishme, të  lexohet deklarata e saj e dhënë më 27 korrik 2015 në Stacionin Policor në Ferizaj.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me marrjen në pyetje të të akuzuarve. I akuzuari Ylber Hoxha, i cili në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Muzafer Hetemi, tha se se të gjithë të bashkëakuzuarit e tjerë i njeh ndërsa sa i përket rastit në fjalë ai tha se atë e ka kryer dhe që për shtëpinë të cilën e kanë “thyer” i ka treguar i akuzuauri tjetër Naser Mema, pasi që sipas tij, ai e njihte pronarin e shtëpisë dhe kishte informacione që në atë shtëpi mund të gjenin sende me vlerë  dhe për këtë arsye bashkërisht kishin vendosur që më 25 korrik 2015, pasi ishin takuar edhe me dy të akuzuarit e tjerë Valmir Demiri dhe Sadri Sadiku kishin planifikuar të shkonin në shtëpinë e tanimë të dëmtuares Xhevahire Muharremi – Mema, e cila shtëpi gjendej në fshatin Dubravë të Kaqanikut.

Ndërsa në pyetjet e prokurorit Ismet Rrahmani, i akzuari Hoxha tha se në polici nuk kishte dhënë asnjë deklaratë dhe që atë deklaratë të cilën e posedon prokurori nuk e ka dhënë ai, pasi tha që në polici është mbrojtur në heshtje. Në pyetjen e prokurorit se pse në polici nuk ka deklaruar dhe nuk ka pranuar asgjë kurse në Prokurori po, i akuzuari tha që në polici ishte keqtrajtuar dhe nuk ka dashur të flas asgjë, ndërsa sa i përket deklaratës në prokurori tha që aty e ka pranuar pasi që ka menduar se aty ka drejtësi. Në vazhdim i akuzuari ka dëshmuar të gjithë ngjarjen se si kishte ndodhur atë natë, prej momentit të planifikimit e deri kur kishin shkuar dhe e kishin “thyer” shtëpinë. Sa i përket asaj se çfarë kishin gjetur në shtëpi, i akuzuari Hoxha tha se aty nuk kishin gjetur pothuajse asgjë, përveç një unaze të arit, e cila sipas tij ishte e këputur, një qafore të hollë dhe një zingjir të vogël të qafës gjithashtu të arit, ndërsa të holla ai deklaroi se nuk kishin gjetur.

Prokurori në vazhdim e ka ballafaquar me deklaratën e dhënë nga e dëmtuara e cila edhe u lexua, ku e dëmtuara kishte deklaruar se me rastin e vjedhjes në shtëpinë e saj i janë marrë ari i saj në vlerë prej 10.000 euro, ari i vajzës së saj në vlerë prej 300 euro si dhe të hollat në vlerë prej 2000 euro. Lidhur me këto, i akuzuari tha që ajo mund të ketë dekalruar çfarë të dojë por që sipas tij, ata (të akuzuarit) i kishin gjetur vetëm ato, të cilat edhe i kishte cekur më herët. Prokurori gjithashtu ia bëri disa pyetje edhe lidhur me disa vjedhje të tjera që kishin ndodhur gjatë asaj periudhe në korrik të vitit 2015, por për të cilat ai deklaroi se nuk i di dhe që nuk i ka kryer. Sa i përket gjesendeve të vjedhura, i akuzuari tha se ato i kishin shitur menjëherë të nesërmen dhe atë në shumë prej 84 euro, sepse siç tha ai nuk kishin vlerë më shumë.

Tutje, para trupit gjykues u deklarua edhe i akuzuari tjetër, Naser Mema, i cili në pyetjet e mbrojtësit të tij tha që nuk i kujtohet data kur kishte ndodhur rasti në fjalë, mirëpo tha se një ditë e kishte thirrur i akuzuari Ylber Hoxha dhe i kishte thënë që nëse ai ka mundësi t’i dërgoj atë ditë në mbrëmje, në fshatin Dubravë, por sipas tij, ai nuk e kishte pyetur arsyen se pse do t’i dërgoj atje. Pasi që ishin marrë vesh për kohën kur do të takoheshin, i akuzuari tha se ishin bërë bashkë me tanimë bashkë të akuzuarit Ylber Hoxha, Valmir Demiri dhe Sadri Sadiku dhe i kishte dërguar në fshatin Dubravë, e ku ata i kishin thënë që kur t’a thërrasin përsëri të vijë e t’i marrë.

Në pyetjen e prokurorit se a i kishte treguar ndonjë gjë Ylberi se çfarë kishin bërë atë natë ose ku kishin shkuar i akuzuari tha që nuk i kishte pyetur për çfarë po shkonin atje, por pasi i kishte marrë prej aty i kishte treguar Ylberi se e kishin “thyer” një shtëpi dhe kishin marrë disa gjëra të arit. Ai gjithashtu deklaroi se të nesërmen Ylberi përsëri e kishte thirrrur në telefon dhe i kishte kërkuar të takoheshin, ku pastaj ai i kishte treguar më hollësisht atë çfarë kishte ndodhur një natë më parë dhe atij pastaj i’a kishte dhënë 20 euro për shkak se i kishte dërguar atje.

I akuzuari tjetër, Sadri Sadriu, tha se nuk e kishte njohur deri në atë ditë as Ylberin dhe as Naserin, ndërsa Valmirin e njeh pasi që e ka shokë prej fëmijërisë. Lidhur me rastin në fjalë, ai deklaroi se për këtë i kishte treguar shoku i tij Valmiri, ku bashkë me të pastaj ishin takuar me dy të akuzuarit Ylber Hoxha dhe Naser Mema, e që sipas tij ky i fundit iu kishte treguar për shtëpinë ku edhe ishte kryer vjedhja. I akuzuari me kërkesen e mbrojtjes së caktuar sipas detyrës zyrtare, avokates Zejnepe Zenuni, e shpjegoi gjithë ngjarjen , se si e kishin planifikuar atë, si kishin arritur deri tek shtëpia, si kishin hyrë, dhe çfarë kishin gjetur aty.

I akuzuari Sadriu tha se sendet me vlerë, përkatësisht arin që e kishin gjetur ai i kishte gjetur vetë në dhomën e fjetjes në atë shtëpi dhe të cilat pastaj ia kishte dorëzuar të akuzuarit Ylber Hoxha. Ai gjithashtu tha që të nesërmen bashkë me Ylberin dhe me Valmirin, kishin dal në Ferizaj dhe i kishin shitur ato, dhe atë në shumë prej 84 euro dhe nga të cilat ai i kishte marrë vetëm 7 euro e gjysmë.

I akzuari tjetër, Valmir Demiri, gjithashtu ka deklaruar për ngjarjen, ndërsa është marrë në pyetje nga mbrojtësja e tij, avokatja Labinota Qosa-Ilazi.

Në pyetjet e prokurorit, i akuzuari tha se më 25 korrik 2015 bashkë me Sadriun kanë dal në Ferizaj dhe pastaj janë takuar me Ylberin e ku më vonë kishte ardhur edhe Naseri dhe ai iu kishte treguar për shtëpinë në fjalë. Ai tha që aty të katër së bashku e kanë planifikuar të gjithën. I akuzuari tha se nuk e ka ditur se çfarë kishin marrë Ylberi së bashku me Sadriun, por që pasi kanë hypur në veturë ,duke u kthyer, Sadriu i ka treguar që kishte gjetur një unazë, dhe dy zingjir të tjerë të arit. Ai gjithashtu deklaroi që ato të nesërmen i kishin shitur në vlerë prej 84 euro dhe tha që ato i kishin ndarë nga 20 euro të gjithë.

Me marrjen në pyetje të të akuzuarve gjykatësja Hysnije Gashi e ka shpallur të përfunduar seancën, ndërsa seanca e rradhës u caktua për datën 11 mars 2016, në ora 13:15.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë