Katër muaj burg me kusht ndaj të akuzuarit për lidhje ilegale në rrjetin elektrik

Djellza
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Nëntor 8, 2019

 

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të premten, e ka dënuar me katër muaj burg me kusht të akuzuarin për vjedhje të shërbimeve komunale, Avdi Ismajli.

Por, ky dënim ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse brenda një viti, ai nuk kryen vepër tjetër penale.

Krahas kësaj, i pandehuri Ismajli, është detyruar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën në vlerë prej 20 euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave, shumën prej 30 euro.

Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësi Rrahman Beqiri, i cili ka deklaruar se si rrethana lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit ka marrë gjendjen e dobët ekonomike të pandehurit, rrethanat personale të tij, si dhe cilësinë e mbajtësit të familjes.

Palën e dëmtuar, gjykatësi e ka udhëzuar në kontest civil për të realizuar kërkesën pasurore juridike, ndërsa i ka udhëzuar në të drejtën në ankesë.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 14 shtator 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avdi Ismajli, duke e ngarkuar me veprën penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, nga neni 320 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri nga dita e pacaktuar e deri më 09 tetor 2017, në shtëpinë e tij, në fshatin Suhodoll i Epërm, në Komunën e Mitrovicës, me qëllim që vetës t’i sjellë përfitim pasuror, me ndihmën e kabllos elektrike është kyçur nga një shtyllë afër, ashtu që shpenzimi e energjisë elektrike nuk është regjistruar.

Siç thuhet në aktakuzë, kompanisë KEDS i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 162,23 euro. /BetimipërDrejtësi