Ka dështuar të mbahet seanca për kompensim dëmi për shkak të mungesës së ekspertit dhe të paditurit

Suharekë
Author

Raporton: Flutura Rraqi

Nëntor 20, 2020

Suharekë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor të çështjes për shkak të padisë për kompensimin e dëmit.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e ekspertit Myzhdat Xhini, i cili përmes telefonit e ka njoftuar gjyqtarin se i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancë nuk ka prezantuar as i padituri Afrim Elshani, i cili pavarësisht që është ftuar në mënyrë të rregullt nga ana e gjykatës, mungesën nuk e ka arsyetuar, ndërsa prezent ka qenë i autorizuari i paditëses KEDS, juristi Bekim Parallanga.

Gjyqtari i çështjes Shaban Zeqiraj, ka shtyrë seancën e sotme për 11 dhjetor 2020 në ora 09:30, duke kërkuar që me ftesë të veçantë të ftohen eksperti dhe pala e paditur.

Ndryshe, sipas padisë të dorëzuar kësaj gjykate më 7 shtator 2016, paditësja KEDS ka kërkuar nga gjykata që i padituri Afrim Elshani, të bëjë kompensimin e dëmit pasiqë prej datës së pavërtetuar e deri më 04 shkurt 2013, me qëllim që t’i sjell vetes pasuri të kundërligjshme, ka shfrytëzuar energjinë në mënyrë të kundërligjshme, me ç’rast ka manipuluar dhe energjia e shpenzuar nuk është regjistruar.

Andaj, e njëjta ka kërkuar që dëmi në shumë prej 3145,34 euro t’i kompensohet paditëses dhe atë me kamatë ligjore nga dita e ushtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, duke përfshirë edhe shpenzimet gjyqësore, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit. /BetimipërDrejtësi