Jovanoviq dënohet me 6 mijë e 700 euro dhe pesë vite i ndalohet hyrja në shtet pasi tha se “Kosovën do ta lajmë më gjak”

217991888_4200329056730470_8130732788224577802_n
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Korrik 21, 2021

Prishtinë –  Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 6 mijë e 700 euro gjobë të akuzuarin për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, Risto Jovanoviq.

Ai fillimisht u dënua me 6 muaj burgim, por më pëlqimin e tij, dënimi iu ka shndërruar në dënim me gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj Jovanoviq u shqiptua edhe dënimi plotësues, dëbimi i tij nga Republika e Kosovës dhe ndalimi i hyrjes në këtë territor në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Vlora Pacolli.

Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 qershor 2021, Risto Jovanoviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe e mos durimit” e sanksionuar nga neni 141 paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se me datë 28 qershor 2021, rreth orës 14:00 në fshatin Mazgit, Komuna e Obiliqit, respektivisht tek monumenti i “Gazimestanit”, i akuzuari, me dashje dhe planifikim ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mos durim mes grupeve etnike dhe fetare që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që gjatë manifestimit te përvjetorit të njohur si “Vindov Dan”, i njëjti publikisht dhe në prezencën e një numri të konsiderueshëm qytetarësh, ka brohoritur, “Vrite shqiptarin”, “Kosovën do ta lajmë me gjak”, “Kosova është Serbi”, kurse para gazetarëve dhe mediave të pranishme ka deklaruar se “shqiptarët do ta kenë ngushtë”, duke rrezikuar prishjen e rendit publik, duke nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje mes grupeve etnike dhe fetare në territorin e Republikës së Kosovës”. /BetimipërDrejtësi