Jepet fjala përfundimtare në rastin ku paditësi po kërkon pagesën e pagave të papaguar nga punëdhënësi

Pallat
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Qershor 9, 2021

Prishtinë – Ka përfunduar gjykimi në rastin ku paditësi Agim Kastrati po kërkon kompensimin e pagave të papaguara nga e paditura, Kompania ‘‘Dielona’’ SH.P.K. me pronar Besnik Krasniqi.

Në fjalën përfundimtare, paditësi Kastrati tha se qëndron pranë pretendimeve të theksuara në padi, duke i propozuar gjykatës që të aprovoj kërkesëpadinë si të bazuar.

Kastrati theksoi se e paditura nuk ia ka bërë pagesat e pagave për periudhën 12 shkurt 2015 deri më 12 maj 2015, duke kërkuar shumën prej 556.80 për paga, në emër të trustit pensional shumën prej 60 euro dhe në emër të tatimit në pagë, shumën prej 13.20 euro.

I njëjti i kërkoi edhe shpenzimet e procedurës, dhe atë, 20 euro për taksë gjyqësore dhe 100 euro për ekspertizë financiare.

Ndryshe, në fillim të seancës, gjykatësi Hysni Bardheci bëri të ditur se e paditura është ftuar në mënyrë të rregullt, por mungesën nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, gjatë kësaj seance është dëgjuar edhe eksperti financiar, Ramadan Ferizi.

Eksperti Ferizi sqaroi se paga neto e paditësit është 185.60 euro mujore dhe se ditët për përllogaritje shtesë të cilat eksperti nuk i ka llogaritur në ekspertizë janë gjithsej 21 ditë.

“Kjo i bie që për 21 ditë është shuma prej 130 euro. Duke marr parasysh e ka kaluar 15 ditëshin, këtij i takon trusti mujor për një muaj që është 20 euro në pagën bazë, tatimi në të ardhura që duhet të paguajë paditësi për shumën 130 euro është 0 deri 80 lirohet nga tatimi, 80-130 janë 50 euro x 4% tatimi, që i bie se paditësit për shumën e realizuar 130 euro duhet të paguajë 2 euro tatim e paditura”, sqaroi tutje eksperti financiar.

Në këto rrethana, gjykata konstatoi se kjo çështje juridike përfundoi.

Ndryshe, sipas padisë së ngritur më 6 maj 2016, thuhet se e paditura si punëdhënës nuk ia ka paguar paditësit pagat mujore për 3 muaj të cilat bëjnë shumën 600 euro si dhe që paditësi përmes postës rekomande ia ka dërguar të paditurit vërejtjen para padisë dhe e ka ftuar që t’ia paguajë borxhin, por që e njëjta nuk i është përgjigjur dhe nuk e ka kryer obligimin.

Mbi këtë bazë, sipas kësaj padie, paditësi Agim Kastrati ka kërkuar që të detyrohet e paditura Kompania ‘‘Dielona’’ SH.P.K., që të emër të pagave të papaguara për kohën e punuar, prej 12 shkurtit 2015 deri më 12 maj 2015, t’ia paguajë të njëjtit shumën prej 600 euro me kamatë ligjore prej 8% nga 12 maji 2015 e deri në pagesën definitive, si dhe ka kërkuar shpenzimet e procedurës. /BetimipërDrejtësi