JEPET FJALA PËRFUNDIMTARE  NË RASTIN E INSPEKTORËVE TË NDËRTIMIT NË GJAKOVË

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjakovë – Inspektorët e ndërtimit Faik Bordoniqi, Bajram Gjoshi, Ilirjana Luzha-Mamusha dhe Behar Vula, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në seancën e së enjtes, të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë dhënë fjalët përfundimtare.

Prokurori Agron Matjani edhe një herë ka sqaruar aktakuzën para trupit gjykues. “Kërkoj që të aplikohen të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese si dhe të akuzuarit të dënohen sipas ligjit” , tha prokurori Matjani.

Mbrojtja paraqiti kundërshtimet e saj duke pretenduar se në aktakuzë ka gabime përmbajtësore.

Avokati mbrojtës i Faik Bradoniqit, Ergjyment Barballushi në fjalën përfundimtare tha se i mbrojturi i tij në kohën për të cilën akuzohet nuk ka qenë Drejtor i Inspektoriatit të Ndërtimtarisë. “Klienti im ka qenë inspekor i tregut. Këtë e dëshmon kopja e vendimit të Kryetarit të Komunës dhe kontrata e punës, e cila i është dorëzuar këtij trupi gjykues. Këtu konstatohet se të mbrojturit tim përfundimisht i ka pushuar funksioni i drejtorit më 14 janar 2008, ndërsa sipas aktakuzës bëhet fjalë për peridhën e muajit shkurt 2008 e deri në fund të vitit 2010. Sido që të jetë është vërtetuar që aktakuza është e padrejtë ndaj të gjithë të akuzuarve dhe i kërkoi gjykatës që klientin tim ta liroj nga aktakuza”, tha avokati Barballushi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Gjoshi, avokati Genc Juniku tha se gjatë shqyrtimeve gjyqësore dhe të provave materiale nuk është gjetur asnjë element i veprës penale dhe si rrjedhoj nuk mund të vërtetohet se i akuzuari Gjoshi e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. “Klienti im sipas rregullores nuk ka qenë inspektor i ndërtimit në kohën kur janë bërë ndërtimet pa leje, por ka qenë në cilësinë e koordinatorit, andaj kërkoj nga gjykata që ta liroj nga aktakuza”.

Mbrojësi i të akuzuares Ilirjana Luzha-Mamusha ,avokati Avdi Rizvanolli tha se e mbrojtura ime nuk e ka kryer veprën penale për të cilën padrejtësisht po akuzohet. “Periudha kur është ndërtuar objekti, e mbrojtura ime ka qenë e caktuar ta kryej punën si inspektore e tregut. Në asnjë provë materiale nuk vërtetohet që klientja ime ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Nga kjo del se akuza është e mangët, paushalle dhe tendencioze, kështu që kërkoj nga gjykata që të akuzuaren Luzha-Mamusha ta liroj nga aktakuza”, tha avokati Rizvanolli.

Pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Behar Vula , avokati Teki Bokshi mungoi në seancë, i akuzuari Vula tha se pajtohet me fjalën përfundimtare të avokatit të tij mbrojtës të cilën ia ka dorëzuar gjykatës. “Ndihem i pafajshëm dhe kërkoj nga gjykata që të më liroj nga akuza”, tha i akuzuari Vula.

Prokuroria Komunale në Gjakovë ka ushtruar aktakuzë ndaj të pandehurit Faik Bordoniqi si Drejtor në Drejtorinë e Inspektoriatit e më pas koordinator i Inspeksionit të tregut, të pandehurit Bajram Gjoshi, Koordinator i Inspeksionit të Ndërtimtarisë, të pandehurës Iliriana Luzha-Mamusha ,Drejtoreshë e Inspeksionit e më pas inspektore e tregut dhe të pandehurit Behar Vula si Inspektor i Ndërtimatrisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë shpërdorur detyrën zyrtare, duke mos ndërmarrë veprimet e duhura ligjore në kuadër të përgjegjësive dhe autorizimeve të punës në drejtim të ndalimit të punimeve të ndërtimit pa leje të objekteve banesore. Trupi gjykues përfundoi seancën dhe shpalljen e aktgjykimit e caktoi më 21 mars 2016, në ora 08:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë