JEPEN FJALËT PËRFUNDIMTARE PËR  DY DREJTORËT  E KOMUNËS SË  PARTESHIT  PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS ZYRTARE

Raporton: Syzana REXHEPI

Gjilan – Në Gjykatën Themlore në Gjilan, të enjtën, kanë dhënë fjalët përfundimtare dy drejtorët e Komunës së Partëshit, përkatësisht Drejtoresha në Drejtorinë për Arsim, Shëndetësi, Kulturë, Rini dhe Sport, Vesna Jovanoviq, si dhe Drejtori i Financave, Dragan Stankoviq, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare apo autoritet.

E akuzuara Vesna Jovanoviq nuk e ka pranuar fajësinë dhe konsideron se nuk e ka kryer këtë vepër penale. Ajo është marrë në pyetje nga mbrojtësi i saj avokati Xhymshit Xhymshiti. Në përgjigjen e saj, e akuzuara tha se kur kishte filluar të punonte në Komunën e Parteshit pothuajse në të gjitha departamentet ishin ballafaquar me parregullësi, si dhe duke pasur parasysh se i kishte udhëhequr gjashtë sektore, parregullësitë më të mdha kanë qenë në sektorin e arsimit. E akuzuara tha se është ballafaquar  me raportin zyrtarit të arsimit se mbi 100 punëtorë nuk punojnë në arsim, ndërsa rrogat i marin. Ajo tha ky ishte një problem i madh për Komunën e Parteshit, dhe se kanë vepruar sipas vendimit të Kryetarit të Komunës që atyre njerëzve t’ua ndërprenin kontratat e punës, gjegjësisht pagesat. E akuzuar tha meqenëse kishin mbetur shumë vende të lira të punës, ata kanë vendosur të shpallin konkurs për 80 vende të lira të punës dhe pas mbylljes së konkursit, ajo tha se ishin ballafaquar me një problem të ri, ku drejtorët e shkollave pranonin vetëm ata punëtorë që punonin sipas sistemit të Serbisë.

E akuzuara Jovanoviq, tha se të gjithë punëtorët që ishin pranuar me konkurs kanë marrë paga. Në pyetjen e prokurorit se a ka marrë pagë edhe Marko Stojanoviq, e akuzuara tha se po kishte marr pagë, derisa e kishin kuptuar që i njëjti është në Austri dhe prej atij momenti tha se ia kanë ndërprerë kontratën.

Në fund të seancës, prokurori ia ka dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare trupit gjykues në formë të shkruar. Njëjtë e ka dorëzuar fjalën përfundimtare në formë të shkruar edhe avokati Rrustem Latifaj, mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Stankoviq.

Ndërsa, mbrojtësi të akuzuarës Vesna Jovanoviq, avokati Xhymshit Xhymshiti, në fjalën përfundimtare  i ka propozuar trupit gjykues  që të sjellë një aktgjykim lirues për të mbrojturën e tij. Shpallja e aktgjykimit në këtë proces gjyqësor, do të bëhet më 21 mars 2016, ora 11:00

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, ku Vesna Jovanoviq dhe Dragan Stankoviq, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që edhe pse kanë pasur vërejtje nga Inspeksioni Rajonal i Gjilanit, për anulimin e konkursit për pranimin e puntorëve në punë të njëjtit në mënyrë të kundërligjshme kanë lejuar që në regjistrin e punëtorëve  të arsimit të bëhet pagesa  për 62 mësimdhënës për periudhën kohore maj – korrik 2014, edhe pse të njëjtit fare nuk kanë qenë të angazhuar në punë dhe fare nuk i kanë kryer detyrat e punës në procesin arsimor, duke i shkaktuar buxhetit të shteti dëm material në lartësi 39.862.44 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë