Jepen fjalët përfundimtare në rigjykimin për vrasjen për borxh në Ferizaj

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj – Të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt shqyrtimi gjyqësor ku për vrasjen e B.H. po akuzohet Albert Ramadani, kurse për pjesëmarrje në rrahjen, e cila i kishte paraprirë vrasjes po akuzohen, Artan Ramadani, Fadil Ramadani, Argjend Ramadani dhe Driton Krasniqi.

Ky i fundit po akuzohet edhe për veprën penale të mashtrimit, lidhur me shitblerjen e një veture të markës “BMË X5”, e cila sipas prokurorisë, kishte qenë edhe shkak i vrasjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë fazë të procedurës, prokurori Rasim Maloku ka dorëzuar me shkrim fjalën përfundimtare, i njëjti tha se kjo është një çështje e rigjykuar, të gjithë dëshmitarët e dëgjuar dhe të gjitha provat e administruara kanë vërtetuar faktet në aktakuzë. I njëjti, gjykatës i ka propozuar që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit.

Ndërsa, avokati i palës së dëmtuar, Ramiz Krasniqi në elaborimin e fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim, tha se gjykata duhet të ketë parasysh rrethanat rënduese në këtë rast.

Avokati Krasniqi tha se ndjenjën e humbjes së antarit të familjes, në këtë rast, më keq e ka përjetuar dhe po e përjeton nëna e tani të ndjerit e cila sipas avokatit ishte e lidhur me tani të ndjerin më shumë se me fëmijët e tjerë.

I njëjti, nga gjykata ka kërkuar të bijë një aktgjykim meritor për të akuzuarit.

Avokati Ymer Huruglica, si mbrojtës i të akuzuarit Albert Ramadani, në këtë shqyrtim ka elaboruar shkurtimisht me gojë fjalën përfundimtare, i njëjti tha se në rastin e shqiptimit të dënimit gjykata të ketë parasysh rrethanat lehtësuese të cilat janë të cekura në fjalën përfundimtare të dorëzuar në formë të shkruar.

Ndërsa, avokati Admir Salihu në fjalën përfundimtare të tij tha se mbetet pranë fjalës përfundimtare të tij të dorëzuar me shkrim në seancën e kaluar kur është mbajtur kjo fazë e procedurës. I njëjti tha se më shumë nuk ka se çfarë të shtoj pasiqë pretendimet e tij janë vërtetuar edhe nga gjykata e Apelit.

Tutje, i akuzuari Artan Ramadani ka shtuar se në këtë ngjarje ka një fajtor të vetëm i cili është tani i akuzuari Driton Krasniqi.

“Fajtor është Dritoni sepse ai ma ka marrë veturën X5 dhe nuk ka konstatuar kush ka me ma kthy borxhin, nuk është konstatu kush është ndërmjetsues, por vetëm e ka fajësu tani të ndjerin” tha i akuzuari Artan

Kështu, avokatja mbrojtëse e të akuzuarit Fadil Ramadani, Arbnora Shefkiu tha se nga provat e administruara është vërtetuar se i akuzuari Fadil Ramadani nuk ka qenë pjesëmarrës në rrahje, përndryshe ai ka qenë i sulmuar, ka thënë e njëjta.

E njëjta, ka qëndruar pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim, ndërsa gjykatës i ka propozuar që të akuzuarin Fadil Ramadani ta liroj nga akuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit Argjend Ramadani, avokati Samir Rekaj poashtu mbeti pranë fjalës së dorëzuar me shkrim, ndërsa nga gjykata ka kërkuar që të bijë aktgjykim lirues sa i përket të akuzuarit Argjend Ramadani, për shkak që sipas tij ky i fundit pa faj është gjendur në një situatë të tillë.

Poashtu, Avokati Fitim Shabani, mbrojtës i të akuzuarit Driton Krasniqi ka mbetur pranë fjalës përfundimtare të dorëzuar me shkrim, i njëjti konsideron se i mbrojturi i tij nuk është përgjegjës për veprat që i vihen në barrë.

Shpallja e aktgjykimit do të mbahet më 13 qershor 2021 ora 14:30.

Ndryshe, gjykimi i të akuzuarve ka filluar pasi Gjykata e Apelit më 14 korrik 2021 e kishte kthyer në rigjykim rastin ku Albert Ramadani, ishte dënuar nga shkalla e parë, me 16 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Mustafë Tahiri, i akuzuari Albert Ramadani ishte dënuar me 15 vjet burgim për vrasje të rëndë, kurse me 1 vit e gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 16 vjet burgim.

Sipas aktgjykimit, të akuzuarit Fadil dhe Artan Ramadani ishin dënuar me dy vite burgim, ndërsa Argjend Ramadani me 1 vit e tetë muaj burgim, për veprën penale “Pjesëmarrje në rrahje” nga neni 190, par.2 të KPRK-së.

Kurse, i akuzuari Driton Krasniqi për pikën I të aktakuzës u dënua tre vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro, ndërsa për pikën II të aktakuzës me një vit e gjashtë muaj burgim. Ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej katër vite e gjashtë muaj burgim dhe 2 mijë e 500 euro gjobë.

Sipas këtij aktgjykimi, kontrata e shitblerjes së veturës ishte anuluar, ndërsa i akuzuari Artan Ramadani ishte obliguar t’i paguajë shumën prej 4 mijë euro Driton Krasniqit, ndërsa vetura BMW X5 do i kthehej Artan Ramadanit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 tetor 2018 nga ana e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Albert Ramadani akuzohet se më 28 shkurt 2018, në rrugën magjistrale Ferizaj –Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, me dashje dhe në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Besart Hasani, pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumën prej 60 mijë euro, lidhur me një veturë të markës “BMW X5”.

Në aktakuzë thuhet se atë veturë Artan Ramadani ia kishte shitur Driton Krasniqit, me ndërmjetësimin e tani të ndjerit Hasani, e të cilin borxh Dritoni sipas marrëveshjes është dashur ta paguajë deri më 28 shkurt 2018, mirëpo i akuzuari Artan Ramadani së bashku me axhën e tij dhe dajën Gafurr kishin shkuar në Prishtinë për t’ia kërkuar borxhin, ndërsa Dritoni iu kishte thënë se do të vinte në Ferizaj dhe se e paguan borxhin.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Dritoni dhe tani i ndjeri H. kishin ardhur rreth orës 18:00, me ç’rast Dritoni u kishte thënë “ju ma keni shqetësuar familjen që keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu që të pandehurit ishin revoltuar dhe kishte filluar fyerja reciproke mes tyre.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Fadil e kishte nxjerrë jashtë tani të ndjerin B. për ta qetësuar situatën, mirëpo B. e kishte goditur me kokë atë në pjesën e hundës dhe e kishte rrëzuar për tokë.

Pas kësaj, sipas prokurorisë kishin dalë edhe të pandehurit Albert, Artan dhe Argjend Ramadani dhe kishte filluar rrahja para lokalit, ndërsa i ndjeri Hasani kishte filluar të ikë në anën e kundërt të magjistrales, kurse të pandehurit kishin vrapuar pas tij.

Me këtë rast, thuhet se i akuzuari Albert kishte nxjerrë pistoletën dhe kishte shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, kurse i ndjeri ishte rrëzuar dhe në gjendje të shtrirë, të akuzuarit e kishin goditur me shqelma në të gjithë pjesët e trupit, ku si pasojë e gjakderdhjes kishte ndërruar jetë në vend të ngjarjes.

Me këtë, Albert Ramadani akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1 nënpar.1.4 të KPRKS-së si dhe për veprën mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Kurse, Driton Krasniqi, Artan, Fadil dhe Argjend Ramadani, akuzohen se më 28 shkurt 2018 orës 18:25 minuta në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, përballë kafenesë “Aniki” në Ferizaj, kanë marrë pjesë në rrahjen në të cilën ishte privuar nga jeta i ndjeri B.H.

Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale pjesëmarrje në rrahje nga neni 190, par.2 të KPRK-së.

Driton Krasniqi, akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, par.5 të KPRK-së, sepse sipas aktakuzës, më 13 janar 2018, në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kishte mashtruar pronarin e autosallonit “Aldioni”, Artan Ramadanin, në atë mënyrë që sipas aktakuzës, kishte lidhur kontratë për blerjen e automjetit “BMW X5 30 xDrive”, për çmimin 64 mijë euro, me ç’rast kishte paguar 4 mijë euro, kurse shumën tjetër ishte dashur ta paguajë më 28 shkurt 2018, mirëpo i pandehuri Krasniqi veturën e kishte shitur, kurse paratë nuk ia kishte paguar në afatin e caktuar. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë