JEPEN FJALËT PËRFUNDIMTARE NË RASTIN E KRYETARIT TË MALISHEVËS RAGIP BEGAJ, I AKUZUAR PËR KEQPËRDORIM TË DETYRËS

Raporton : Adem KRASNIQI

Gjakovë – Në seancën e së mërkurës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin e Kryetarit të Komunës së Malishevës Ragip Begaj, i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimit.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës Haki Gecaj, në fjalën e tij përfundimtare tha se i akuzuari Begaj, në cilësi të personit zyrtar si Kryetar i Komunës së Malishevës, kishte shpërdoruar pozitën zyrtare apo autorizimet, ashtu që me dashje dhe me dijeni, i kishte shkelur dispozitat e ligjit të punës dhe udhëzimin administrativ të MASHT-it që rregullojnë marrëdhënien e punës, duke ia shkelur seriozisht të drejtat të dëmtuarit Shemsi Morina. Ai tutje shtoi se i dëmtuari Morina kishte pasur kontratë pune valide si Drejtor në SHFMU “Ganimete Tërbeshi” deri më 1 tetor 2015 por që të njëjtit pas ndryshimeve politike në udhëheqjen e komunës, iu kishte ndërprerë marrëdhënja e punës më pesë gusht 2014.

“Pas të gjitha këtyre që u thanë, administrimit të provave, deklartave të të dëmtuarit dhe dëshmitarëve, del se i akuzuari Begaj e ka kryer veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza, prandaj kërkoj nga trupi gjykues që të njëjtin ta shpallë fajtorë”, tha prokurori  Gecaj.

Mbrojtja e Kryetarit Begaj, avokati Emrush Kastrati e kundërshtoi fuqishëm aktakuzën, duke thënë se në asnjë rast prokurori nuk kishte arritur të dëshmoj që klienti i tij kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Sipas avokatit Kastrati, të dëmtuarit Shemsi Morina nuk iu kishte ndërprerë marrëdhënja e punës por i njëjti ishte transferuar në pozitën e mësimdhënsit që ka qenë duke punuar më parë, por i njëti nuk kishte dashur që të punojë.

Avokati Kastrati shtoi se veprimet e të akuzuarit Begaj, nuk përbëjnë vepër penale. “Konsiderojmë se ky rast nuk është dashur që të trajtohet si rast penal por si duket, organi i akuzës e ka marrë rolin e gjykatës civile, prandaj lidhur më shqetësimet e të dëmtuarit duhet të mirret gjykata civile”, tha avokati Kastrati.

Tutje avokati Kastrati shtoi se i akuzuari Begaj nuk ka pasur për qëllim dëmtimin e askujt dhe ashtu siç ishte dëshmuar gjatë administrimit të provave,ai nuk e kishtë nënshkruar vendimin për pushim të marrëdhënjes së punë të Shemsi Morinës, por këtë e kishte bërë drejtoria për arsim në Komunën e Malishevës. Ai kërkoi nga trupi gjykues që të ketë parasysh të gjitha këto fakte të përmendura më lart dhe Kryetarin Begaj ta liroj nga akuza.

Ky shqyrtim gjyqësor zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila e ngarkon Kryetarin e Komunës së Malishevës Ragip Begajn, se në periudhën qershor-gusht 2014, ka shpërdorur pozitën zyrtare apo autorizimet, me qëllim që t’i shkaktoj dëm dhe t’ia shkelë të drejtat në marrëdhënien e punës të dëmtuarit Shemsi Morina. Sipas aktakuzës, edhe përkundër faktit se i dëmtuari Shemsi Morina, kishte kontratë për  punët dhe detyrat e punës si Drejtor në SHFMU “Ganimete Tërbeshi”, e vlefshme deri më 1 tetor 2015, i pandehuri me dashje dhe me dijeni kishte shkelur dispozitat e Ligjit të Punës, duke shpallur konkursin për drejtor të shkollës, kurse të dëmtuarit iu kishte ndërprerë marrëdhënia e punës.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë