JEPEN FJALËT PËRFUNDIMTARE NË RASTIN E ISH-RRESHTERIT POLICOR PËR KEQPËRDORIM

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi i radhës ndaj të akuzuarit Fadil Krasniqi, ish-zyrtar policor me gradë rreshter, nën akuzën se ka ushtruar ndikim në një rast, të një familjari të kunatës së tij.

Në seancën e së premtës, prokurori Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare, tha se në bazë të udhëzimeve nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme e Kosovës, ka ri-cilësuar veprën penale, nga marrja e ryshfetit, në veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Më tej ka shtuar se ka ndryshuar edhe përshkrimin faktik në aktakuzë, ku ka theksuar se i akuzuari më 31 maj 2013, duke qenë rreshter i stacionit policor në Malishevë, ka shkuar në pikën kufitare në Vërmicë dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka tejkaluar autorizimet e tij, duke i mundësuar kalimin e kufirit, Agim Gashit, për të cilin kishte një fletëarrest të vitit 2006, për një vrasje në tentativë që nga viti 2000, veprim për të cilin nuk ka pasur autorizim, pastaj të njëjtin e ka përcjellë me një patrullë të policisë deri në Gjakovë, sipas organit të akuzës i akuzuari për këto veprime ka marrë nga i akuzuari një shumë të parave prej 2500 euro, ku sipas tij edhe vet i akuzuari ka pranuar se ka marrë 500 euro, bazuar në provat e administruara ka kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se nuk ka prova bindëse se i mbrojturi i tij ta ketë kryer veprën penale për të cilën ngarkohet, ditën kritike i akuzuari ka qenë në pushim vjetor dhe jo në marrëdhënie pune, me asnjë provë nuk dëshmohet se i njëjti i ka penguar autoritetet të ekzekutojnë urdhër arrestin, sipas tij, në rastin konkret kemi të bëjmë me shkelje të normave të etikës ose standardeve që vlejnë në polici e kurrsesi për vepër penale, andaj ka kërkuar nga trupi gjykues që i akuzuari të lirohet në mungesë të provave.

I akuzuari, Fadil Krasniqi në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se e mbështet fjalën e mbrojtësit të tij, ka shtuar se nuk e ka zbatuar urdhër arrestin sepse ka qenë në pushim vjetor, ndërsa në pikën kufitare ka shkuar në cilësinë e shokut, si vozitës i kunatës së tij, motrës së të dëmtuarit, Agim Gashi.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, e ka shpallur të përfunduar shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar më 17 mars 2016, në ora 13:00.

Në këtë rast penal është marrë një aktgjykim me të cilin është dënuar i akuzuari, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin por e ka ri cilësuar veprën penale nga ushtrimi i ndikimit në keqpërdorim të pozitës zyrtare por duke pasur parasysh se ka mbetur përshkrimi faktik i veprës për ushtrim të ndikimit, aktvendimi i Apelit, është goditur në Gjykatën Supreme, për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila gjykatë e ka aprovuar ankesën dhe e ka kthyer rastin në rivendosje.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë