Jepen fjalët përfundimtare në rastin e Hasan Hotit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Raporton: Fjolla GAXHA

Gjakovë – Në rastin e Hasan Hotit i akuzuar për veprën penale të keqpërdorimit zyrtar palët kanë dhënë fjalët përfundimtare në seancën e së premtes të mbajtur në Gjykatën Themeore në Gjakovë.

Prokurori Agron Matjani në fjalën përfundimtare tha se pas administrimit të fakteve, provave dhe dëshmive është vërtetuar se i akuzuari Hasan Hoti e ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës.

Betim Behluli, përfaqësues i palës së dëmtuar nga Komuna e Rahovecit tha se komuna kërkon kompensim pasuror për dëmin e shkaktuar.

Avokati Myhedin Bekeri në fjalën përfundimtare theksoi se edhe gjatë ekspertizës financiare nga eksperti Ali Shujaku nuk kishte mundur të vërtetonte se i akuzuari kishte bërë pagesën e rrymës elektrike. Ai i ka propozuar gjykatës që Hotin ta shpallë pafajshëm, ndërsa nëse eventualisht gjykata e konsideron fajtor, atëherë të merr për bazë rrethanat lehtësuese, sepse Hoti nuk ka qenë i dënuar më parë, është mbajtës i familjes katër anëtarësh dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Hasan Hoti akuzohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare derisa kishte ushtruar pozitën e zyrtarit për paga dhe pagesa në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Aktakuza e ngarkon Hotin se gjatë periudhës kohore prej tetorit 2010 deri më 22 prill 2014 se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, duke paguar fatura të rrymës të dy shpenzuesve privat të energjisë elektrike, Gani Gashi dhe Nazmi Hajdës, të dy nga Rahoveci. Këto fatura i akuzuari Hoti i kishte paguar nga buxheti i Komunës së Rahovecit, duke dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 2.371.90 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë