Jep mbrojtjen polici i akuzuar: “Nuk kam marr ryshfet prej 50 eurove”

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Ka dhënë mbrojtjen e vet pjesëtari i Policisë së Kosovës, Agim Vërshevci, i cili akuzohet për veprën penale ‘marrje e ryshfetit’.

Në mbrojtjen e vet i akuzuari Vërshevci deklaroi se më 31 gusht 2011, pasi kishin kryer patrullimin, e kishin thirrur në stacionin policor, me arsyetimin se dikush i kishte lajmëruar për keqpërdorim. “Në stacion kishin qenë edhe Inspektorët nga Inspektorati Policor i Kosovës, të cilët na thanë që një qytetar na kishte lajmëruar për marrjen e 50 eurove”, tha Vërshevci.

I akuzuari Vërshevci deklaroi se i gjithë rasti ka të bëjë me shumën e parave prej 50 euro, por që të njëjtat asnjëherë nuk ishin gjetur tek ai. “Personi që më ka lajmëruar, kishte thënë se kishte tejkaluar shpejtësinë për 20 km, por gjoba për këtë kundërvajtje është 25 euro. Si ka mundësi që një person për 25 euro gjobë, t’ia jap policit 50 euro mito?”, tha i akuzuari Vërshevci, duke sqaruar para trupit gjykues situatën e ndodhur.

Në pyetjen e prokurorit Feti Tunuzliu se a ishte pezulluar pas këtij rasti, i akuzuari Vërshevci deklaroi se ishte pezulluar për gjashtë muaj, por që ishte kthyer përsëri në punë.

Ndërkaq, në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Nora Bllaca, nëse i kishte marr ato para, i akuzuari Vërshevci tha se ato para asnjëherë nuk janë gjetur me numër serik, por as nuk janë prezantuar nga paraqitësi i rastit.

Seanca e ardhshme për këtë rast u caktua për 3 tetor 2016, me fillim prej orës 8.45.

Në këtë akuzë ka qenë i përfshirë edhe qytetari Shkumbin Blakaj, i cili akuzohej për veprën penale ‘dhënie ryshfeti’. Vepra penale kundër tij është parashkruar, ndërsa procedura vazhdon vetëm kundër të akuzuarit Agim Vershevcin.

Sipas gjykatës, zvarritja e këtij procesi dhe vjetërsimi i lëndës ka ndodhur si pasojë e mungesës së të pandehurit Blakaj, i cili ndodhet në Austri.

Ndërkaq, i pandehuri Agim Vershevci akuzohet se në cilësinë e policit, ka marrë ryshfet nga Shkumbin Blakaj në vlerën prej 50 euro. Sipas aktit akuzues, në gusht të vitit 2011 Vërshevci në një pikë kontrolli, kishte ndaluar veturën e Shkumbin Blakajt me arsyetimin se kishte tejkaluar shpejtësinë dhe nga ai ka marrë 50 euro ryshfet. Këtë veprim ai e kishte arsyetuar se gjoja po e falte, pa lëshuar asnjë dokument për marren e të hollave.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë