JEP MBROJTJEN ISH-GJYQTARJA SHEMSIJE SHEHOLLI E AKUZUAR PËR KEQPËRDORIM TË POZITËS

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-gjyqtares, Shemsije Sheholli, e cila akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, duke shkelur procedurat, gjatë vendosjes në një rast gjyqësor, në vitin 2007.

Në këtë seancë, ka bërë mbrojtjen e saj e akuzuara, Shemsije Sheholli, e cila ndër të tjera ka thënë se nuk ka pasur asnjë dyshim kur ka vendosur në këtë rast për të cilin akuzohet, sepse sipas saj, para vete ka pasur kontratën e shitblerjes së asaj prone, të datës 10.02.1962, e cila është përpiluar dhe lidhur në zyrën e avokatit Milorad Ninkoviq dhe e njëjta kontratë, sipas saj, është nënshkruar nga palët kontraktuese, gjegjësisht Faik Ustun Sylejman nga njëra palë si shitës dhe paraardhësve të palës tjetër si palë paditëse. Më tej ka shtuar se në pamundësi për të gjetur adresën e të paditurit Faik Ustun Sylejman, pasi që për të njëjtin, në padi, shkruhej se është shpërngulur në Turqi, me këtë rast tha se e ka caktuar një përfaqësues të përkohshëm, i cili i ka mbrojtur interesat e tij në mënyrë profesionale dhe ligjore.

Sa i përket akuzës se nuk e ka shpallur aktvendimin për përcaktimin e përfaqëuesit të përkohshëm në gazetën zyrtare konform ligjeve pozitive, ajo ka deklaruar se këtë nuk ka mundur ta bëjë sepse në atë kohë Gazeta Zyrtare e Kosovës ka publikuar vetëm ligje dhe rregullore, që sipas saj, vetëm në vitin 2012 ka filluar të publikojë këto aktvendime, por ajo ka thënë se të njëjtin aktvendim e ka afishuar në tabelën për shpallje të ish Gjykatës Komunale në Prishtinë. Më tej ajo ka theksuar se personat të cilët paraqiten në këtë rast si palë e dëmtuar, për 50 vite asnjëherë nuk kanë kërkuar prishjen e kontratës mbi shitblerje dhe nuk e kanë trazuar asnjëherë familjen Krasniqi që të lirojë atë pronë, sipas saj, ata asnjëherë nuk kanë kërkuar mbrojtje ligjore për atë patundshmëri as nga policia, as nga organet komunale e as nga gjykata.

Kryetarja e Trupit Gjykues, Raime Elezi, për shkak të përfundimit të orarit të punës, ka ndërprerë shqyrtimin dhe të njëjtin e ka caktuar për datën 22.04.2016, në ora 13:00, në të cilin, e pandehura, pritet të vazhdojë mbrojtjen e saj.

Me datën 12.09.2013, Prokuroria e Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarës, Shemsije Sheholli, të cilën e akuzon se duke qenë në detyrën zyrtare, si gjyqtare në ish Gjykatën Komunale në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën zyrtare në atë mënyrë që ka aprovuar kërkesën e paditësve Jetullah, Sherife dhe Naim Krasniqi, me të cilën vërteton se ata janë pronar të një prone, në vendin e quajtur “Kroi i Bardhë”, me ç’rast ajo me propozimin e paditësve, i cakton të paditurit, Ustun Sylejman nga Turqia, një përfaqësues të përkohshëm me arsyetimin se i njëjti është zhvendosur në Turqi, në adresë të panjohur dhe nuk ka zbatuar ligjet pozitive që të shpallë vendimin në gazetën zyrtare apo në tabelën e shpalljeve te gjykatës, me çka i është mohuar e drejta e pjesëmarrjes në kontest, trashëgimtarëve ligjor të të paditurit, Zineta, Ifeta dhe Eroll Nikoqeviq.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë