JEP MBROJTJEN I AKUZUARI PËR RRËMBIM

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka vazhduar gjykimi ndaj Bexhet Bajraktarit, i cili akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2013, ka bërë rrëmbimin e një personi me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore prej 20 mijë franga zvicerane.

Në seancën e së hënës, pasi që nuk ka pasur propozime për plotësimin e procedurës nga prokurori i rastit, Sefer Morina dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bashkim Nevzati, i akuzuari ka bërë mbrojtjen e tij.

I akuzuari, para trupit gjykues, ndër të tjera ka thënë se të zhdukurin Shaqir Berisha e ka njohur prej shkollës së mesme, të njëjtit i kishte marrë borxh 20 mijë franga zvicerane, për t’ia kthyer për gjashtë muaj, e nëse nuk mundet ta kthente borxhin, i zhdukuri do të merrte një tokën prej 12.5 ari, nga i akuzuari, të cilën tokë, sipas tij, e ka marrë ai një muaj para se të ndodh ngjarja. Më tej ka shtuar se në ditën kritike e kishte takuar Shaqirin në një lokal me emrin “Kulla”, nuk i kujtohej se çka kishin biseduar dhe më atë ditë nuk e kishte parë, se gjatë ditës kishte shkuar te një elektricist, për të rregulluar makinën e tij, ndërsa pastaj kishte qëndruar në dyqanin e tij, më vonë e kishte thirrur djali i të zhdukurit, i cili  e kishte pyetur se mos dinte diçka për babin sepse nuk po mund ta kontaktonin dhe se aty e ka kuptuar se diçka nuk qenka në rregull.

Më pas ka mohuar të ketë përcjellë viktimën, duke sqaruar se vetëm nga video, e shfaqur në shqyrtim gjyqësor, e ka kuptuar se kishte qenë duke vozitur pas automjetit të viktimës, në ditën kritike, ndërsa të nesërmen kishte takuar djalin e tij për të pyetur se a ka naksen të re rreth rastit dhe më vonë e kishte thirr babai i viktimës në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë se do t’i jepte para sa të dojë vetëm ta gjejë djalin e tij, pasi që kishte aluduar se ky kishte lidhje dhe mund ta bënte këtë gjë, ndërsa ky i kishte thënë se do të mundohet me gjet por nuk kishte premtuar se do ta gjejë për 7 ditë, qysh kanë dëshmuar të dëmtuarit.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, me kërkesë të prokurorit, i cili kërkoi kohë që ta përgatisë fjalën përfundimtare, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 20 korrik 2016, në ora 13:00.

Ky gjykim zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën e akuzon të pandehurin se më 6 qershor 2013, rreth orës 09:20, te qendra tregtare  “Benaf”, mban personin Shaqir Berisha, me qëllim që mos ta lirojë para se të nxjerrë dobi pasurore prej 20 mijë franga zvicerane dhe se nga ajo kohë më nuk dihet asgjë për fatin e viktimës, me këtë rast ka kryer veprën penale të rrëmbimit.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë