JEP MBROJTJEN I AKUZUARI PËR DALLAVERET ME PATENTË SHOFERË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të premtën, ka bërë mbrojtjen e tij, Agron Salihu, i cili akuzohet për veprën penale  “ushtrim i ndikimit”. Salihu akuzohet se gjatë periudhës mars – korrik 2011 kishte pranuar oferta që silleshin prej 50-650 euro për të ushtruar ndikim tek Bashkim Islami dhe Ramadan Paçarizi, të cilët aso kohe punonin si ekzaminerë në Ministrinë e Infrastrukturës në Departamentin e Automjeteve në Ferizaj, që t’u ndihmonin kandidatëve të caktuar për të kaluar provimin për patent shofer. Prokuroria pretendonte se ish të akuzuarit Islami dhe Paçarizi, kishin shpërdoruar pozitën e tyre dh kishin përfituar të holla, duke iu mundësuar kandidatëve të ndryshëm që të kalonin testin apo duke ndihmuar plotësimin e tij.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, në fillim të shqyrtimit gjyqësore e ka njoftuar të akuzuarin Salihu, se në seancën paraprake ndaj tij, ishte lëshuar urdhërarrest, për shkak se ai nuk i ishte përgjigjur ftesës së Gjykatës, për t’u paraqitur në seancën e caktuar. Mirëpo, kryetari Idrizi, në vazhdim tha se urdhërarresti i lëshuar ndaj tij është revokuar, pasi që i akuzuari i kishte paraqitur Gjykatës Themelore në Ferizaj, vërtetimet mjekësore, në të cilat shihej se ai në ditën kur është lëshuar urdhërarresti nuk kishte mundësi të jetë i pranishëm në seancë pasi kishte probleme shëndetësore.

Në këtë seancë, i akuzuari ka paraqitur mbrojtjen e tij, të cilën ai e bëri personalisht pasi që nuk kishte angazhuar mbrojtës dhe se një gjë e tillë sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, letjohet, pasi mbrotja përmes avokatit nuk është e detyruar.

I akuzuari tha se ndaj tij ka filluar procedura gjyqësore, pasi që nga kontrolli i policisë, në shtëpinë e tij ishin gjetur disa dokumente – letërnjoftime të disa personave, disa certifikata të lëshuara nga Kryqi i Kuq si dhe një monedhë në shumë prej 100 euro, e cila ishte e falsifikuar. Lidhur me letërnjoftimet e atyre personave ai tha që ato ua kishte marrë me qëllim që me anë të tyre t’ua regjistrojë patentë shoferin, pasi që ata nuk kishin pasur kohë që vet t’a kryejnë këtë obligim ose gjendeshin jashtë Kosovës, e që për t’a kryer këtë shërbim ai ua kishte marrë nga 5 ose 10 euro, varësisht se sa i kishin ofruar ata. Ndërsa për rastet kur kishte për t’ua paraqitur provimin për patentë shofer atyre ua kishte kërkuar shumën në vlerë prej 10 apo 20 euro. Ai gjithë këtë e kishte bërë pasi që ishte i papunësuar dhe këto të holla, ua kishte marrë me qëllim që të siguronte të ardhura nga to, dhe për gjetjen e kandidatëve i kishin ndihmuar të afërmit dhe miqtë e tij.

Në vazhdim të seancës, prokurori Rasim Maloku  ia ka lexuar të akuzuarit traskriptën e sms-ve, transkripta këto të marra me rastin e përgjimit të telefonit të tij, e ku në njërën nga to ai kishte biseduar me një person, i cili i kërkonte Agronit t’ia regjistronte patent shoferin dikujt tjetër, ku citon fjalët “p.sh me ia regjistru lejen dikujna që është në Kosovë krejt bohen 500 euro, e nëse jeton jashtë i bëhet 1300 euro”. Lidhur me këtë i akuzuari deklaroi se nuk i kujtohet se ka thënë diçka të tillë.

Ndërsa në pyetjet e trupit gjykues i akuzuari tha se ai asnjëherë nuk kishte ndikuar tek asnjë person zyrtar – ekzaminer dhe nuk kishte ofruar asnjeherë diçka në mënyrë që ata t’i ndihmojnë ndonjë kandidati në kryerjen e provimit për patentë shofer dhe që prej kësaj të përfitonte edhe ai. I akuzuari tha se njëherë kishte kërkuar nga një ekzaminer nga Ferizaji, të cilin e kishte edhe jaran siç e quante ai, që në provimin për patent shoferë të ju ndihmoj motrave të tij në disa pyetje, mirëpo tha që këtë ia kishte kërkuar vetëm në mënyrë shoqërore pasi që me të njihej moti dhe për këtë atij nuk i kishte ofruar diçka.

Pas përfundimit të mbrojtjes së të akuzuarit , kryetari i trupit gjykues Ibrahim Idrizi, shqyrtimin e së premtës e ka përfunduar, ndërsa seanca e rradhës është caktuar për 7 mars 2016.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë